VIDEO/ Alban Hoxhaj: Polici më qëlloi në ballë me armën që hedh gaz lotsjellës. Isha në trotuar, jo te PD

Alban Hoxhaj, kryetar i grupseksionit 8 të PD në Njësinë 6 në Tiranë, u plagos rëndë në protestën e 8 janarit te selia blu. 

Ai rrëfeu në Çim Peka Live në Syri Tv, se është qëlluar në ballë nga një efektiv policie me armën që hedh gazin lotsjellës, jashtë perimetrit të selisë së PD, në trotuar, duke i shkaktuar plagë të rëndë në kokë dhe gjakderdhje.

"Ndihem keq si emocionalisht dhe fizikisht. Kam patur dhgimbje. Uroj të mbyllet me kaq dhe të mos ketë ndonjë gjë më shumë. Jam goditur nga policia, njerëz me uniformë, jam qëlluar me armë shotgun me predha që lëshon gaz. Ajo ka veshje metalike. Jam qëlluar drejtpërdrejt në ballë. Kjo ka ndodhur pasi ndërhyri policia me gazlotsjellës, ne u shpërndamë dhe kemi dali dal jashtë objektit të PD. Policia po vinte nga objekti drejt portës kryesore. Unë kisha marrë gaz brenda dhe po më digjnin sytë, po kërkoja të laja sytë. Dola në trotuar, policia u afrua te porta e jashtme dhe ka goditur polici në krah të djathtë, ka qëlluar drejtpërdrejt. Kam patur në dorë vetëm çadrën kundra shiut. Nuk kisha mundësi të shmangesha dhe e kam gjetur veten përtokë. Policin e njoh po ta shoh. Jam i aftë ta përcaktoj vendin ku ka qenë polici dhe vendin ku kam qenë unë. Aty afër ka qenë ambulanca, u ngrita dhe u futa, aty gjej edhe fotografin Felix Bilani, ai më bëri foton dhe ju thotë atyre që do të zbres sepse këtu parashikoj që sot do të bëhet masakër. Nuk më ka ndaluar gjakderdhja deri në spitalin e Traumës. Kam bërë skaner dhe aty më ka marrë në pyetje një grua e OPGJ", u shpreh Alban Hoxhaj. 

Si të mos mjaftonte plaga e rëndë në kokë, Alban Hoxhaj është marrë nga spitali dhe është shoqëruar në komisiariatin nr.1, ku ka qëndruar për tre orë me radhë.

"Në komisariat më ka mjekuar këngëtari Stresi. Policia nuk më ofroi edhe një kartopecetë e jo më të më fusnin në një vend ku të ndjehesha rehat", tha Alban Hoxhaj.  

"Kjo armë nuk ishte përdorur në asnjë protestë që kemi bërë. Këtë e mbanin 2-3 policë. I njëjti ka bërë edhe gjuajtjen në krahun e kryetarit të FRPD. Aty ka edhe armë të tjera që nuk janë të dëmshme fizikisht, shkaktojnë djegie por jo dëmtime të tilla".