Hasta la vista, Lul!

Oficerët e dikurshëm që kishin seli godinën e sotme të Partisë Demokratike, duhet të jenë ngazëllyer nga ngjarjet e para dy ditëve.

Qielli i nxirë sipër godinës, u kthye si një mallkim i revoltës së tyre kundër hyrjes së PD në godinën e SHQUP.

Ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore u kthye në arenën e gazit dhe forcës të “policisë së krimit dhe drogës” (cit Luli Basha) për të mbrojtur Luli Bashën.

Fare ashiqare, Basha u zbulua si masha e mafias që ka pllakosur në çdo segment të jetës ekonomike, urbane, politike etj.

Megjithë metodat që një diktaturë njeh, ushtarakët e regjimit të para ‘90,  kanë parë me zili blindimin, armatimin, izolimin brenda nga ish-pronës së tyre.

Nga brenda selisë së PD, si në ghetto, qëndronte kupola e partisë e jashtë saj, bash ata të cilët në çdo palë zgjedhjesh ndahen copash, që ata brenda të fitojnë mandate e pushtet dhe Luli të bëhej kryeministër.

Zyrtarë të pragmatizmit, si pengcë, përballë votuesëve dhe strukturave të tyre, pajisur nga armata të fortësh me kapuç, nga deputetë me shkopa baseball-i.

Ngujuar brenda një godine të murosur idesh, aspak simpatike, aspak tërheqëse dhe aspak bindëse, aqsa qytetarët votojnë symbyllur Edi Ramën dhe jo papagallues boshë të frazave bajate të kinseopozitarizmit fals, mediokër dhe të korruptuar.

Si marksistë të vegjël, lehës të bëmave e vendimeve me të cilat shiten kauza publike dhe kunatizohet opozita.

Opozitarët e shumtë të këtij vendi, nga balta ku ngecin pas çdo tradhëtie dhe humbjeje, shohin lundrimin e kryetarit të tyre nga luksi i sarajeve të atyre që i quan oligarkë.

(Gon Papulit i është harruar tashmë emri pas bujtjes së z.Basha në vilat e biznesmenit).

Më fanitet Albin Kurti që shiti shtëpinë e vet për të ndihmuar VV me donacione. Antiteza e gjallë e z. Kurti, kacavarësi në krye të PD, derdhi hunj dhe një overdozë gazi kimik ndaj anëtarëve të PD.

Nuk kam për të harruar kurrëndonjëherë fytyrat e zonjave që kërkonin ndihmë, të gjakosur në kangjellat e oborrit të PD, mbytur nga vrundujt e gazit helmues.

I kam parë ata sy të lotonin nga gazi në protestat përballë kryeministrisë, por gazi i Lulit, ishte hidhërak.

Jo gjithçka mund të përshkruhet me fjalë. Dikur Migjeni i thotë Petro Markos se “nisja për në luftën e Spanjës, është poema e tij më e bukur”

Poema më e bukur e demokratëve, është beteja për të shkëputur nga mafia, partinë e tyre.

Hasta la vista, Lul!