Fuga: Situata në PD trishtuese, selia blu nuk duhej blinduar

Profesori i Komunikimit Artan Fuga në intervistë me moderatoren Juli Krisafi në emisionin Ora 19:00 në Syri Tv, komentoi protestën e 8 janarit në selinë e PD-së.

Fuga theksoi se situata në PD është trishtuese, duke shtuar se selia blu nuk duhej asesi që të blindohej.

“Situata në PD është trishtuese. Nuk i duhej ai qëndrim askujt, as policisë dhe askujt tjetër. Selia e PD nuk duhej blinduar. Sulmi fizik në seli nuk është në interesin e askujt. Mbrojtja me dhunë është po ashtu primitive. Nëse do bëjmë sulme për pronën, imagjinoni se çfarë do bënin ata persona që kanë probleme me pronat. As mbrojtja dhe as sulmi nuk kanë legjitimitet juridik dhe japin mesazh për vetëgjyqësi, në një shoqëri që ka probleme gjyqësore e më vjen keq që këta mesazhe i japin njerëz që janë edhe juristë.

Nëse PD hyn sot në votime, nuk merr asnjë deputet. Kjo sepse elektorati thërrmohet. PD u tregua e paaftë që krizën në lidershipin e vet ta zgjidhë në mënyrë demokratike. Berisha nuk ka shumicën e deputetëve, por mobilizon shumicën e militantëve, ndërsa Basha ka shumicën e grupit parlamentar dhe ndoshta në Këshill, kjo çarje u zhvillua derisa erdhi më datë 8 janar, e çarja është përfundimtare. Mendoj se Sali Berisha do krijojë parti tjetër. Basha mund të krijojë parti tjetër. Nëse do ishte ndeshje, ndeshja doli 1:1 me dy autogola”, deklaroi Fuga.