Gjata: PD në momentin më delikat në histori, Basha skllav i policisë së Ramës

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit në PD Çlirim Gjata, në intervistë në Edicionin e Pasdites me moderatoren Armela Ferko në Syri Tv, foli për protestën e 8 janarit në selinë blu.

Gjata theksoi se PD aktualisht është në momentin më delikat në histori, duke shtuar se Lulzim Basha është bërë skllav i policisë së Ramës.

“PD është në momentin më delikat në histori. PD rrezikon që të shpërbëhet dhe jo të përçahet. Ishte Berisha dhe përkrahja e tij që Bashës i dhanë mbi 640 mijë vota. Foltorja shpëtoi PD-në nga shpërbërja. Është gjëja më e rëndë që ka ndodhur për PD, krijimi i grupeve militare aty në seli me gazin lotsjellës. Më datë 8 janar, demokratët po hynin në shtëpinë e tyre dhe gjetën aty gaz. Data 8 u përpoq të tregojë se ekziston pluralizmi politik dhe opozitarizmi në vend. Imagjinoni sikur Basha të bëhej kryeministër e të kishte pushtet se çfarë mund të bënte.

Basha hyri në marrëveshje me Ramën, sepse Rama ka lidhje me policinë. Basha firmosi marrëveshjen me policinë e Ramës. Çfarë denoncim korrupsioni do të bëjë Basha, kur është skllav i policisë. Çfarë e do ai atë parti, kur gjithë bazën e partisë e ka kundër. Më datë 8 u tregua se kush është opozita e vërtetë dhe kush është opozita false. Pas Bashës, vjen Rama. Prandaj tani merret vesh se pse janë lënë mënjanë gjithë ata kauza. Askush nuk e beson më Lulzim Bashën”, deklaroi Gjata.