SHBA dhe Rusia takohen për bisedime në kulmin e tensioneve për Ukrainën

Gjenevë — Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë filluan zyrtarisht bisedimet speciale mbi stabilitetin strategjik të hënën, si pjesë e një aktiviteti diplomatik të stuhishëm në Evropë kësaj jave që synon të qetësojë tensionet e gatishmërisë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën, megjithëse nuk ka përparim të madh.

Zv.Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov dhe delegacioni i tij mbërritën nën shoqërimin e policisë zvicerane në misionin diplomatik të SHBA-së për bisedime ballë për ballë me Ëendy Sherman, Zv.Sekretaren e Shtetit të SHBA-së dhe ekipin e saj. Takimi është pjesë e bisedimeve të "Dialogut Strategjik të Sigurisë" të nisur nga Presidentët Joe Biden dhe Vladimir Putin gjatë një samiti të qershorit në qytetin zviceran.

Pas një darke pune jozyrtare të dielën, Ryabkov parashikoi bisedime "të vështira" në Gjenevë që do të pasohen nga një takim NATO-Rusi në Bruksel të mërkurën dhe një takim i Organizatës shumëpalëshe për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë në Vjenë të enjten.

Moska ka kërkuar një varg lëshimesh nga SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë, duke përfshirë garancitë se NATO nuk do të zgjerohet më drejt lindjes në ish-shtetet sovjetike si Ukraina, përgjatë kufirit të së cilës Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa në hapa që kanë ngritur shqetësime rreth një ndërhyrje e mundshme më e thellë ushtarake atje.