Kosova, thirrje popullatës për vaksinim: Rritje e rasteve me Covid-19, situata mund të përkeqësohet!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi sot se që nga fillimi i vitit ka filluar rritje e rasteve pozitive me COVID-19 sidomos me shfaqjen e variantit të ri të virusit, Omicron.  IKSHPK i bëri thirrje popullatës për vaksinim ndërkohë që vazhdon pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik:

"Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa rekomandojmë qw institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12-vjeçare.

Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj.

Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.

Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen! Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin.

Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor! Prandaj, në vazhdimësi vlen për secilin person dhe më tej vazhdojmë të bëjmë thirrje: Mbulo gojën dhe hundën me maskë! Mbaj higjienën! Respekto distancën!Vaksinohu.