Sot nis gjysmëvjetori i dytë në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar

Sot fillon periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Ministria e Arsimit konfirmoi se task forcat në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla.

“Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK, të dezinfektojnë hapësirat e shkollave”, thuhet në njoftimin e MAShTI.

Përveç mësimit me prani fizike në shkollë, do të jenë në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja. Video-mësimet do të vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe ato mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI. Klikoni për orarin e transmetimeve!

Po ashtu, MAShTI, në bashkëpunim me UNICEF, tashmë ka ofruar për të gjitha shkollat mundësinë e qasjes në platformën mësimore https://shkollat.org/, të bazuar në teknologjinë e Microsoft, ku, përveç sistemit për menaxhimin e mësimit në distancë janë publikuar edhe video-mësimet sipas programit mësimor të klasave 1-9. Megjithatë, shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera.

Ndryshe, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se procesi mësimor do të zhvillohet sipas Udhëzuesit i cili parasheh 4 skenarë, por nëse ka rritje të rasteve me COVID-19 nëpër shkolla, atëherë janë task-forcat komunale ato që vendosin për mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor.