Ivan Balliu reagon pasi shënoi golin e parë në La Ligën spanjolle

Rayo Vallecano nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Betis, teksa golin e vetëm për skuadrën nga Vallecas e realizoi Ivan Balliu.

Mbrojtësi i kombëtares shfrytëzoi më së miri një mundësi brenda zonës dhe nuk fali duke tundur rrjetën.

Ky ishte goli i parë për Balliun me fanellën e Rayo Vallecano, e po ashtu edhe realizimi i parë në La Liga.

Sakaq, pas sfidës, 30-vjeçari u shpreh i lumtur që ekipi i tij vazhdon të mbetet me kuotën e zero humbjeve në shtëpi, ndërsa theksoi se për këtë ndihmojnë edhe përmasat e fushës së Rayos.

“Betis është një ekip i madh dhe është sipër në renditje për meritë. Megjithatë, kam ndjesinë se nga kjo sfidë kundër tyre mund të kishim marrë më shumë, kishim mundësi, por nuk i finalizuam. Gjithsesi, është mirë që vazhdojmë ecurinë pozitive në shtëpi, ku ende nuk kemi pësuar asnjë humbje.

Tifozët janë një plus i madh për ne, në shtëpi jemi një ekip agresiv, por na ndihmojnë edhe përmasat e fushës. Na mungon që këtë vazhdimësi ta kemi edhe kur luajmë larg shtëpisë”, u shpreh Balliu.