Sabien Lilaj: Nuk njihja asnjë lojtar te Skënderbeu, ja pse zgjodha Dinamon

Sabien Lilaj është rikthimi i bujshëm në Superiore gjatë merkatos së janarit, me ish-mesfushorin e Kombëtares që i dha fund eksperiencës te Prishtina dhe iu bashkua Dinamos, që drejtohet nga ish-shoku i tij i skuadrës te Skënderbeu, Blendi Shkëmbi.

Pikërisht ndaj korçarëve në miqësore, erdhi edhe debutimi i Lilajt me fanellën e Dinamos, teksa pas ndeshjes, futbollisti rrëfeu për SuperSport emocionet e përballjes me të shkuarën dhe arsyet që e sollën te Dinamo.

Si erdhi vendimi për t’iu bashkuar Dinamos?

Në Kosovë kisha probleme me gjurin dhe u bënë katër muaj. Atje nuk ishin kushtet e duhura për t’u rikuperuar dhe mendova se ishte fundit. Te Dinamo fola me presidentin dhe mu duk projekt shumë serioz. Edhe ish kapiteni te Skënderbeu, është trajner, ndaj thashë pse jo, ky është vendi më i mirë për t’u rikthyer.

Si e gjeni Dinamon, pas një ecurie jo në nivelin e pritshmërive?

Besoj që akoma nuk jemi në nivelin e pritshmërive, por jemi duke punuar mirë dhe shpresoj të na vijnë edhe përforcime. Po ambientohemi edhe ne futbollistët e rinj, ndaj shpresoj të kthejmë Dinamon në nivelin që i takon.

Sa do t’i shërbejë Lilaj Dinamos?

Sa do t’i shërbej Dinamos, mbetet ta shohim në fund, por e shoh që ekipi ka nevojë për një farë qetësie, pasi jemi pak të nxituar dhe duhet të jemi më të qartë. Unë do të bëj maksimumin tim, por shpresoj të kap formën, pasi u bë shumë kohë që nuk luaj.

Ku e shihni Dinamon?

Unë dua ta shoh sa më lart, por shpresoj të bëjmë sa më mirë dhe të shohim në fund ku do jemi.

Çfarë ndjesie ju dha fakti që ndeshjen e parë e luajtët kundër Skënderbeut?

U emocionova pak në fillim, por nuk pashë asnjë lojtar që njihja te Skënderbeu, përveç Marës, që atëherë kur isha unë, ishte shumë i vogël. Ishte e veçantë, por si Skënderbeu, ashtu edhe ne nuk jemi aty ku na takon.

Sa ka ndryshuar Superiorja krahasuar me kohën kur ju luanit?

Me aq sa kam parë Superioren këto kohë, mendoj se është pak më i ulët niveli në krahasim me kohën kur unë isha te Skënderbeu. Megjithatë pasi të përballemi me pretendentet, mund të jap një mendim më të qartë për këtë.