Paqja vjen nëpërmjet forcës-një aksiomë amerikane

Nga Ibrahim Morina/

Të gjithë ne, në fillimet e arsimimit tonë, porsa kemi rënë në kontakt me lëndën e Gjeometrisë për herë të parë kemi dëgjuar e mësuar çfarë është “aksioma” dhe cili është kuptimi i saj.

“Aksioma është një teoremë e pranuar pa vërtetim(teoremë që nuk ka nevojë të vërtetohet)”.

Personalisht kjo është ajo që unë mbaj mend për “aksiomën” që nga Gjeometria e 8-vjeçares.

Por rrugëtimi ynë i gjatë në jetë na e ka hapur shumë horizontin dhe na ka hequr kufijtë “gjeometrikë” të ekskluzivitetit të “aksiomës”. Referuar përvojës, për saktësi referuar edhe Fjalorit të Gjuhës Shqipe, aksioma në kuptimin e saj të parë është, “Parim ose përgjithësim i nxjerrë nga përvoja, që nuk ka nevojë për vërtetim që merret si gjë e ditur dhe si pikënisje në një arsyetim ose në një shkencë për ndërtimin dhe argumentimin e parimeve të tjera...”.

Edhe kuptimi i dytë, nuk ndryshon shumë nga i pari kur e përcakton aksiomën si, “Një e vërtetë e qartë, e padiskutueshme, e pranuar prej të gjithëve”.

Nuk do të isha zgjatur kaq shumë në të bërit teori dhe aq më tepër në shpjegimin e fjalës “aksiomë”, në qoftë se sot nuk do të më binte ndërmend një aksiomë amerikane, sipas së cilës “Paqja vjen vetëm nëpërmjet forcës”.

As më shumë e as më pak kjo aksiomë më erdhi ndërmend sot ndërsa si “mercenar” i Sali Berishës, (siç na ka etiketuar Lulzim Basha), isha në ambientet e jashtme të selisë së PD-së. Kjo aksiomë më erdhi ndërmend, mes keqardhjes së dyzuar, në se më e rëndë ishte gazi lotsjellës i përdorur në oborrin e PD-së ndaj meje dhe shumë e shumë protestuesve të tjerë apo në se ne si protestues kishim shkuar “të papërgatitur” apo “të paarmatosur” sot para dyerve të selisë së PD-së, “për të siguruar paqen, nëpërmjet forcës”.

Ato dyer e dritare sot u shemben, por për mua më shumë se sforcoja fizike, që fizikisht i shembi ato dyer e dritare, më shumë kuptim mori fitorja morale e cila shembi mendësinë e atyre që ju ra ndërmend dhe realizuan blindim e selisë së PD-së.

Ne sot mund të kishim shkuar “të armatosur” e “të përgatitur” me qysqi e matrapikë, por, më shumë vlerë se sa shembja fizike e dyerve e dritareve mori sot, shembja morale e atyre, të cilëve ju ra ndërmend dhe realizuan blindim e selisë së PD-së.

Pikërisht këtu e ka zanafillën edhe keqardhja ime e dytë, që: Lulzim Basha dhe “të emëruarit” “mbështetës të tij” nuk kuptojnë se “forca ka sjellë paqen” duke përmbysur qeveri po se po, por edhe sisteme... Dhe për t’ju rikthyer aksiomës amerikane, janë amerikanët vetë, që me shembujsh të shumtë, jo më larg se Kosova, na kanë dëshmuar se “paqja vjen nëpërmjet forcës”.

Lulzim Basha dhe të emëruarit “mbështetës të tij” duhet ta dinë se ajo seli është një TEMPULL, është një FALTORE që nuk ka nevojë për brava e dryne, nuk ka nevojë të blindohet, sepse në më se 30 vite ajo nuk është kyçur asnjëherë.

Për aq sa shembullin e dhamë sot si protestues, se “paqja vjen nëpërmjet forcës”, vazhdimësia është një rutinë, me apo pa qysqi e matrapikë, por në funksion të asaj që Lulzim Basha duhet të kuptojë, se ajo godinë nuk është SHQUP-i, por është selia e PD-së, dhe që ai nuk mund të vazhdojë të mbështetet te policët e Edi Ramës për të mos ia dorëzuar atë demokratëve...