Koha që struci ta nxjerrë kokën nga rëra

Pamjet e sotshme nga Partia Demokratike, selia e saj qendrore, konfirmojnë në rastin më të mirë se në skenarin e dhunës ka dorë qeveria e Shqipërisë.

Kjo verifikohet nga pamjet kur njerëz nga brenda selisë përdorin pajisje të lëshimit të gazit lotsjellës, të cilat nuk gjenden në tregun e zi në këtë vend.

Nëse strukturat e një shteti paguhen që të marrin informacion, atëherë çfarë kanë bërë për të shmangur këtë që po ndodh?

Kryeministri i Shqipërisë, ka dorë në lejimin e militarizimit të një selie partie, e cila po synohet të pronësohet nga dy palë në konflikt civil.

Detyrën për ruajtjen e rendit e ka autoriteti publik dhe jo vetëgjyqësia dhe pusia.

Sot ne pamë se problem kryesor në këtë vend nuk është Sali Berisha që synon një godinë, as Lulzim Basha që po e mbron atë, por Edi Rama që luan në hije me njërin krah dhe ambasada të huaja që e shohin dhunën vetëm në një krah.

Është groteske të shohësh këtë sjellje kur dëgjojmë prej vitesh se shtetbërja është prioritare në këtë vend, se po bëhen reforma e kështu me radhë.

Asnjë shtet, në asnjë rrethanë nuk mund të cedojë nga ai që quhet monopol i përdorimit të forcës në territor. Struci duhet ta nxjerrë kokën nga rëra dhe një herë të vetme të mos ketë frikën si premisë të vendimeve të veta.

Ndëryrja e policisë sapo z. Basha bëri thirrje për një gjë të tillë, ndërkohë që me detyrë funksionale, siguria e rendit e kërkon një gjë të tillë të bëhet paraprakisht, e bën edhe më provokuese një situatë që duhet të ishte menaxhuar nën optikën e një shteti, jo nevojat e disa politikanëve./ Respublica