‘Lejet e ndërtimit’/ Gashi: Sulo investitor i madh, nuk ka lidhje me dallaveret për Brezovicën

Prokuroria Themelore në Ferizaj ditëve të fundit ka zhvilluar një aksion të madh nën dyshimet për dallavere me lejet e ndërtimit në Brezovicë.

Në mesin e të arrestuarve pati kryetar komune e zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.

Nga dosja e Prokurorisë ditë më parë u publikuan dyshimet e organit hetues se Nikoliqit i është dhënë ryshfet nga kompania “Stella Consulting” në këmbim të lejeve ndërtimore.

Se ndaj kësaj kompanie janë duke u zhvilluar hetime, e ka pranuar edhe avokati Tomë Gashi që përfaqëson “Stella Consulting”.

Gashi ka thënë se hetime janë duke u zhvilluar vetëm ndaj Gentjan Sulos.

Ai thotë se hetimet ndaj Sulos janë duke u zhvilluar mbi dyshimet për dhënie ryshfeti.

“Është i dyshimtë kinse për dhënie të ryshfetit. Nëse unë jam kjo kompani e Shqipërisë dhe nëse ti je ndërtuesi dhe me këtë kontratë je i obliguar me i siguru të gjitha lejet atëherë çfarë arsye kom unë me i dhënë dikujt ryshfet për të marrë lejet”, ka thënë Gashi në “Frontal”.

“Sot kam marrë një autorizim prej një personi që e njoh nga Shqipëria që kemi dokumentacion që fare nuk ka kurfarë involvimi edhe pse emri i tij gjendet në këtë rast. Ky person është Gentjan Sulo, është nga Shqipëria. Është një investitorë i madh. E kemi një kontratë e vitit 2014 ku ka qenë e autorizuar një kompani tjetër e cila ka pasur për obligim që t’i sigurojë edhe dokumentacionin juridik dhe lejet për ndërtimet që ka pretenduar kjo kompani që t’i përfundojë dhe të gjitha punët janë tërësisht ligjore. Këto janë në bazë të dokumenteve të tij dhe tash të shohim se çfarë ka prokuroria”, ka shtuar tutje Gashi.