EMRAT/ Skandali i pagave, të dhënat e shqiptarëve u shitën për 20-30 mijë lekë

Eni Qirjako, Andi Agaraj, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi janë katër personat e arrestuar për skandalin e publikimit të pagave.

Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ kryer në bashkëpunim.

Sota akuzohet për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’. Ikonomi akuzohet për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv në sektorin privat’.

I proceduar penalisht në gjendje të lirë është edhe shtetasi Ervin Muça, detyrë Drejtor i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Klodian Sota ia ka dhënë materialet e marra nga kolegia Eni Qirjako në të gjitha rastet kundrejt vlerës 20 000 lekë sa herë që ai i ka dhënë të dhënat e kërkuara. Nga hetimi është konstatuar se këto të dhëna pasi shtetasja Eni Qirjako, ia kalonte në e-mail në programin Ëe Transfer, i ka shkarkuar në kompjuterin e tij të punës dhe pastaj i ka kopjuar në CD, dhe ia ka dërguar dorazi në periudha të ndryshme kohore shtetasit Klodian Sota.

Nga aktet e administruara konstatohet se shtetasi Klodian Sota, të dhënat e pagave të nxjerra nga databasa e ‘Sistemit Cats’, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, të marra nga shtetasi Andi Agaraj, punonjës i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ia ka dhënë shtetasit Endri Ikonomi kundrejt një shpërblimi prej 20 000 deri në 30 000 lekë.

Gjithashtu nga veprimi hetimor është konstatuar se me procesverbalin e sekuestrimit të datës 28 dhjetor 2021, policia gjyqësore ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale në banesën e shtetasit Klodian Sota një Hard Disk të jashtëm, në të cilin dyshohet se gjenden të gjitha të dhënat e pagave të nxjerra nga databaza e ‘Sistemit CATS’, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, të marrë nga shtetasi Andi Agaraj.