PD dhe demokracia në rrezik, shqiptarët kanë veç një mjet përballje

Partia Demokratike e Shqipërisë u themelua në 1990 si vullnet dhe shprehje e lirisë, të drejtës dhe modelit perëndimor të sistemit politik mbi të cilin shqiptarët vendosën të ndërtojnë jetën e tyre.

Shqipëria dhe shqiptarët kishin vuajtur më shumë se çdo komb e popull tjetër evropian nga diktatura marksiste, izolimi e braktisja.

Ndaj dhe lindja e pluralizmit politik dhe ngritja e një modeli perëndimor në sistemin shoqëror as nuk ishte e lehtë e as nuk do të reshtej së qeni i sulmuar, minuar dhe kompromentuar si vlerë e model.

Për shqiptarët minimi i pluralizmit dhe modelit perëndimor të sistemit shoqëror, ka qenë dyfish i synuar, për faktin se ekzistenca e sistemit shoqëror sipas modelit perëndimor përputhej tërësisht me interesin kombëtar të shqiptarëve.

Nëse në fundin e epokës staliniste në Shqipëri, ky agresion ndaj pluralizmit dhe nisjes së një modeli perëndimor mbështetej tek strukturat okulte që diktatura kishte ngritur gjatë 50 viteve të mbretërimit të saj, sot në shekullin e kibernetikës ky sulm është bazuar e funksionon mbi platformën e korrupsionit total mbi këdo e me kosto marramendëse, ku gjithçka u jepet të korruptuarve antisistem, grabitet ditën me diell nga xhepi i shqiptarëve të sfilitur.

Partia Demokratike, me të mirat dhe gabimet e saj, me arritjet dhe dështimet e saj, ia ka arritur të ishte faktori i vetëm i një standardi të caktuar të ruajtjes, promovimit dhe funksionimit të vlerave të atij modeli perëndimor.

Për këtë arsye e të tjera, sulmi dhe platformat e minimit ndaj saj nuk kanë reshtur kurrë.

Për shkakun se kjo parti ka përfaqësuar në bindje e model, herë pas here, shumicën e shqiptarëve dhe totalisht interesin kombëtar, ky atak ndaj saj, ka qenë në fakt një atak ndaj shumicës së shqiptarëve dhe ndaj interesit kombëtar.

Këtu ndërlidheshin dhe aktorët e interesuar për këto platforma.

Aktorët e interesuar për minimin e sistemit të pluralizmit politik dhe aktorët e interesuar për minimin e interesit kombëtar shqiptar.

Partia Demokratike ia arriti në 30 vitet e fundit të përballet me këtë aleancë të këtyre aktorëve.

Platforma e minimit të pluralizmit dhe interesit kombëtar nuk ja doli të triumfonte as në 1990, as në 1997, as në 1998, as në 2001.

Megjithëse në këto vite për shqiptarët rrethanat dhe kushtet ishin shumë më të vështira e të ashpra, vlerat e pluralizmit dhe interesit kombëtar nuk u zhbënë.

Kjo më së shumti se Partia Demokratike (demokratët) ia arriti të ruante vlerat e sistemit që shqiptarët vendosën të kenë me rënien e “perdes së hekurt”.

Sot Partia Demokratike dhe sistemi i vlerave ndodhen nën kërcënimin dhe rrezikun më të madh të ekzistencës së tyre.

Ataku ndaj tyre nuk bëhet më me burgime, plumba, banda të armatosura, por me miliona të parave të pista gjeneruar nga hajnia dhe tradhtia.

Hajnia dhe tradhtia prodhojnë shumë para, para që nuk njohin kufij, por ato janë e mbeten të qelbura.

Ndaj rreziku i asgjësimit të vlerave të perëndimit dhe interesit kombëtar është sot më i madh se kurrë më parë, që prej rrëzimit të stalinizmit në Shqipëri.

Përballë kësaj furie të madhe të hajnisë dhe tradhtisë, shqiptarët kanë veç një mjet përballje.

Forcën e shpirtit dhe rezistencës së tyre duke hedhur tutje çdo kompleks, çdo provokim, çdo manipulim.

Historia njerëzore e ka konfirmuar në çdo rast se kurrë hajnia dhe tradhtia nuk e kanë thyer dot forcën e shpirtit të njerëzve të lirë, të ndershëm e patriotë.

Sado i madh të jetë thesi i parave të qelbura të korrupsionit, ai nuk e mbulon dot detin e pafund të shpirtit njerëzor.