Hakmarrja pas shpërthimit të makinës? Shoferi kishte tentuar të vriste tre vetë me granatë dikur

Mësohet e kaluara e njerit prej të plagosurve në  makinën që shpërtheu në Unazën e Re të Tiranës, ajo e shoferit Mikel Harizaj 42 vjeç.  Si ai dhe pasagjeri Serini Dumi 26 vjeç janë në gjendje në rëndë në spital.

Harizaj rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë, pasi në vitin 2009 ka tentuar që të vrasë me granatë dore tre persona. Ai u arrestua tre vite më vonë nga Policia, teksa qëndronte te disa miq të tij në Tiranë, në kuadrin e operacionit "Bitumi".

Harizaj rreth orës 23:00 të datës 10 prill 2009, në Selenicë, për motive të dobëta është konfliktuar me tre shtetas në ambientet e një lokali. Menjëherë pas konfliktit, Mikel Harizaj ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në makinën e tij, të cilën e kishte të parkuar afër lokalit nga ku ka marrë një granatë dore, me të cilën ka sulmuar ata.

Nga shpërthimi i granatës u plagos rëndë asokohe shtetasi G. A., dhe më lehtë dy të tjerët. Operacioni për kapjen e tij u bë në Tiranë, pasi Mikel Harizaj ndodhej i fshehur te disa persona, me të cilët kishte lidhje shoqërore. Ndaj tij u ngrit akuza për vrasje të mbetur në tentativë. Dyshimet mbeten tek hakmarrja.