As FRPD nuk lejohet në seli: Më 8 janar do ndalojmë pengmarrjen e PD

Të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së mbërritën në selinë e PD, aty ku mbrëmë u konsumua një akt vandalist, pasi logoja e tyre u hoq nga selia nga persona me kapuçona.

Të rinjtë e gjetën selinë të mbyllur. Duke folur përpara medieve, ata thanë se do protestojnë më 8 janar për të çliruar selinë e PD-së.

“Jemi përballur me mbylljen e dyerve dhe nuk po lejohemi të hyjmë në zyrat tona. Kjo është një situatë e turpshme dhe nuk ka ndodhur asnjëherë. Kjo seli nuk është pronë e askujt, ajo është pronë e demokratëve dhe rinisë.

Nuk mendoj se ka nevojë që të njoftohet administrata për mbërritjen tonë, ne kemi zyrat dhe hyrjen tonë. Nuk besoj se ne jemi rreziku. Ne duam thjesht të bëjmë një mbledhje organizative për protestën e ditës së shtunë. Kjo është një mbyllje dyersh për çdo mendim ndryshe dhe për çdo mendim kundër. FRPD do jetë pjesë e protestës të shtunën,” thanë të rinjtë.

“Ne nuk duam parti të bravave të mbyllura, por duam një parti të garave të hapura. Dua t’i rikujtoj deputetit Basha se PD është më shumë se kjo godinë. Rinia nuk e pranon këtë të ardhme me dyer të mbyllura. Më 8 janar, çdo demokrat duhet të ndalojë pengmarrjen e PD-së,” theksuan ata.