‘Të shtunën do çlirojmë bunkerin’/ Basha sheh i trembur nga kafeneja

Disa anëtarë të Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike mbërritën sërish sot në selinë e PD-së, por e gjetën përsëri derën e mbyllur.

Ndryshe nga dje, këtë herë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po ndiqte gjithçka i trembur nga kafeneja, ku ishte ulur me disa gazetarë.

Një prej personave që nuk u futën dot në seli, Aldo Bumçi, tha se kjo sjellje i shërben vetëm Edi Ramës. Aldo Bumçi u shpreh se deri më tani Komisioni për Rithemelimin e PD-së është treguar tolerant me Bashën, pasi ka dashur të mirën e demokratëve. Ai paralajmëroi se më 8 janar do të çlirohet godina e PD-së, e cila është kthyer në një bunker.

Kurse Gent Strazimiri ironizoi me faktin se Basha del vetëm nga zyra te kafeneja poshtë.

“Nuk ka punë tjetër veçse të pijë kafe. Nëse do kishte betejë, nuk do ishte në kafe. Sot ky oborr do gumëzhinte nga demokratët. Asnjë demokrat s’duhet të kishte dilemën a do i hapet dera apo jo. Ky oborr i zbrazët, kjo godinë e mbyllur në këtë mënyrë tregon frikën nga demokratët, jo nga regjimi, me regjimin e ka grurë. Janë 44 mijë veta që duan të hyjnë në PD më datë 8. Këta thjesht kanë ndërmend ta mbajnë të zbrazët e të shkretë këtë godinë. Më datën 8 do marrin xhevapin, kjo është shtëpia e demokratëve. Kjo godinë dhe ky oborr nuk mund të rrinë të zbrazëta”, tha Strazimiri.