Arrestimet në Kosovë për 'Brezovicën': Çfarë fshihet pas përfshirjes së zyrtarëve të lartë?

Gjatë ditës së sotme në Kosovë u arrestuan shtatë persona për korrupsion, nga të cilët dy zyrtarë të Ministrisë të Mjedisit.

​Prishtinë - Njësia e Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj pati zhvilluar një operacion në Shtërpcë për ndërtime pa leje dhe korrupsion, nga ku mbetën të arrestuar dhjetë persona, në mesin e tyre edhe Bratisllav Nikolliq, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

E në kuadër të po këtij aksioni i cili filloi më datë 21 dhjetor,  edhe gjatë ditës së sotme u arrestuan edhe shtatë të tjerë prej tyre, nga të cilët dy zyrtarë të Ministrisë të Mjedisit dhe pesë qytetarë, duke çuar numrin e të arrestuarëve deri tani në 17, raporton Syri.net Kosova.

Lajmi u konfirmua edhe nga vet Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila ka njoftuar se shtatë persona janë arrestuar sot në aksionin që u zhvillua në disa lokacione në Kosovë. Dy nga të arrestuarit janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni i filluar me datë 21 dhjetor 2021 për rastin “Brezovica”, ku janë duke u bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme, ndër to edhe zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Prokuroria njofton se aksioni është duke vazhduar ende.

SYRI.net Kosova në vazhdimësi ka raportuar për këtë ngjarje, për të cilën do i'u sjell lajme dhe pamje direkte të përditësuara nga lokacionet në të cilat po zhvillohet ky aksion.