VIDEO/ Plagosja në Vlorë, ja ku e dogjën autorët mjetin 'Audi Q7'

Këto janë pamjet nga kodrat e fshatit Trevllazër në Vlorë ku është gjetur i djegur “Audi Q7” i autorëve, të cilët një natë më parë plagosën me armë zjarri 36-vjeçarin Diego Hanaj.

Brenda automjetit janë gjetur edhe dy krehëra me fishekë.  Autorët kanë zgjedhur një kodër me ullishte për të zhdukur gjurmët dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.

Në vendin e ngjarjes ka 6 kamera sigurie dhe policia po këqyr pamjet filmike të marra prej tyre. Në lidhje me këtë ngjarje policia ka shoqëruar 8 persona. Mësohet se ata kanë qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe janë pyetur nëse kanë parë ndonjë detaj që mund të çojë në zbardhjen e rrethanave të saj dhe identifikimin e autorëve.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Pavarësia”, pranë një marketi, para pallatit ku banon 36-vjeçari. Disa persona hapën zjarr teksa po udhëtonin me një automjet. Hanaj ka marrë plagë plumbi në dorë dhe ndodhet në spitalin e Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.