Manchester United në krizë dhe me klane në skuadër, 11 lojtarë duan të largohen

Manchester United është në krizë të madhe dhe ardhja e trajnerit të ri Ralph Rangnick nuk e ka përmirësuar situatën. Djajtë e Kuq po veprojnë si një ushtri e shkatërruar dhe pakënaqësia mes futbollistëve në dhomat e zhveshjes po rritet.

Humbja në shtëpi ndaj Wolverhampton Wanderers e thelloi më tej krizën në Old Trafford dhe sipas anglezes “Mirror”, në skuadër ka një grup lojtarësh që thuhet se janë shumë të pakënaqur me situatën.

Kjo është arsyeja pse atmosfera është mjaft e zymtë dhe më shumë se kaq, sepse gazeta pretendon se ekipi tani është i ndarë. Nga njëra anë: yjet që luajnë gjithmonë, dhe nga ana tjetër lojtarë që rrallë ose kurrë nuk marrin një shans.

Mes tyre janë Anthony Martial (26), Edinson Cavani (34), Donny van de Beek (24), Dean Henderson (24), Juan Mata (33), Eric Bailly (27) dhe Jesse Lingard (29).

Lojtarët e përmendur nuk e kuptojnë pse nuk iu dha mundësia kur skuadra luajti aq keq. Sidomos para fundit të epokës Solskjer. Gjithashtu, thuhet se ish-trajneri e ka përkeqësuar situatën duke u dhënë atyre premtime që nuk ka mundur t'i përmbushë.

Me ardhjen e Rangnick, situata e tyre nuk ka ndryshuar shumë dhe Mirror pretendon se ka ende lojtarë të pakënaqur dhe se 11 lojtarë duan të largohen menjëherë nga klubi.

Megjithatë, është e vështirë të besohet se United thjesht do të përmbushë kërkesat e tyre, veçanërisht pasi Rangnick ndaloi largimin e Cavanit.

Kjo krijon edhe më shumë zhgënjim tek lojtarët dhe Daily Mail shkruan se gjysma e ekipit është e pakënaqur dhe se në dhomat e zhveshjes janë krijuar klane.

“Një grup i ndarë”, shkruan Daily Mail, duke shtuar se situata nuk është aspak e mirë.

Atmosfera është vërtet e keqe dhe duket se United do të përballet me probleme të mëdha në një sezon që dalëngadalë po kthehet në një makth të vërtetë.