Plagosja e Diego Hanajt/ Zbardhet dinamika, gjendet makina e djegur

Një ditë pas plagosjes së 36-vjeçarit Diego Hanaj, është gjetur një makinë e djegur në Vlorë. Makina dyshohet se iu përket autorëve.

Burime bëjnë me dije se një makinë tip Audi është gjetur e djegur në fshatin Trevllazër. 

Hanaj ka qenë duke pirë kafe disa minuta përpara ngjarjes, teksa një automjet i dyshuar Audi e ka pritur te hyrja e pallatit të tij në lagjen 'Pavarësia'.

Sapo Hanaj po shkonte për në banesë, nga automjeti janë ulur xhamat është nxjerrë një armë dhe është qëlluar drejt tij. Fatmirësisht Hanaj e ka vënë re armën dhe ka filluar të vrapojë deri tek marketi pak metra më tutje. Në drejtim të tij mendohet të jetë shtënë rreth pesë herë.

Një plumb e ka kapur në dorë, një tjetër te xhamat e një ndërtese, ndërsa një plumb te xhami i marketit në fjalë.

Kamerat e marketit kanë fiksuar pjesën ku Hanaj vrapon në drejtim të marketit, por pa fiksuar automjetin, i cili besohet se është larguar në drejtim të rrugës Transballkanike.

Hanaj është çuar në spital nga persona që ishin aty pranë teksa edhe policia është lajmëruar nga banorë të lagjes, të terrorizuar për ngjarjen.

Në dëshminë e tij të parë në polici, Hanaj ka treguar se s'ka mundur t'i njohë autorët. Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes apo konflikteve të kohëve të fundit, por nuk përjashtohen as pistat e tjera.