EMRI/ Arrestohet pronarja e agjencisë që falsifikonte testet Covid

Pronarja e një agjencie udhëtimesh në Durrës si dhe dy udhëtarë që ishin nisur drejt Italisë janë ndaluar nga Policia për falsifikimin e testeve Covid.

Policia e Durrësit kreu operacionin e koduar "Testet", bazuar në informacionet e marra në rrugë në rrugë operative, për një kompani udhëtimi që falsifikonte testet e Covid-19.

Në kuadër të operacionit, Policia arrestoi 56- vjeçarjen Ariana Reçi, banuese në Durrës, pronare e një agjencie udhëtimi, e cila falsifikonte testet e Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë. 

Gjithashtu, në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare në Portin e Durrësit, u kapën dhe u proceduan penalisht dy shtetas, të cilët tentuan të kalonin kufirin për në Itali, me teste të falsifikuara nga kjo pronare e agjencisë së udhëtimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.