Atentati me një të vdekur në 'Don Bosko', Artan Hoxha: Pse autorët zgjodhën ditët e para të Vitit të Ri

Gazetari Artan Hoxha ka dhënë disa detaje të tjera në lidhje me vrasjen në zonën e “Don Boskos”, ku u vra më armë zjarri Erion Çela dhe mbetën të plagosur 4 persona të tjerë, mes tyre vëllai dhe daja i viktimës.

Sipas gazetarit Hoxha, vrasja ishte e planifikuar dhe e mirëorganizuar, ndërsa thotë se autorët zgjodhën ditët e para të vitit të ri pasi kishte më pak qarkullim dhe lëvizja mund të bëhej më lirshëm.

“Ata kanë përzgjedhur momentin e goditjes, madje i kanë ruajtur që mos ketë njerëz të tjerë, por sigurisht goditja ishte fatale, që me një të shtënë ti mbaronin hesapet.

Po punohet shumë me kamerat e sigurisë, duhen ditë të tëra që të shikohen me detaje.

Makina që ata kanë përdorur targat, itinerari që kanë ndjekur…është një vrasje e planifikuar. Mund ti vrisnin edhe tek dyqani i cigareve.

Nuk mund të them se janë vrasës profesionistë, por ka një gjë tjetër, daja i dy vëllezërve ka precedent për pjesëmarrje ne organizatë kriminale në Itali, por në fund nuk është dënuar nga drejtësia, por ka qenë i skeduar.

Kjo është një nga pistat, por nuk është përfundimtare. Duke pasur parasysh që në botën kriminale në Shqipëri nuk është se këta janë elementë që kanë përmasa të mëdha.

Ajo që të shqetëson te kjo ngjarje është mënyra si është kryer krimi. Ngaqë kanë qenë festat, pas datës 31 ka pasur më pak trafik, mund të lëviznin më shpejt”, tha Hoxha në “Opinion”.