Masakra/ ‘Ambulanca u vonua 30 minuta’- Një përgjigje për Urgjencën

Nëse do lexoje për atë që ndodhi dje në Tiranë, pa parë vendin se ku ka ndodhur, sigurisht që do mendoje se bëhet fjalë për ndonjë nga narkoshtetet e Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Natyrisht edhe në zona ku ka luftime, dikush mund të shkojë dhe të hapë zjarr mbi një lokal të mbushur me njerëz.

Por kjo që ndodh në Shqipëri i tejkalon kufijtë e imagjinatës, pasi siç shkruante një koleg i nderuar, ndryshe nga Kolumbia dhe Nikaragua, ku ndjehet se shteti është në njërën anë dhe krimi në anën tjetër, këtu nuk ka asnjë dallim më.

Ka plot elementë të rëndë te masakra e Don Boskos, te të cilat mund të ndalesh, por SYRI vendosi të mos anashkalojë edhe faktin se krimi ndodhi shumë pranë Spitalit të Traumës dhe ambulanca mbërriti me vonesë prej 30 minutash.

Kështu shpreheshin dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Por sot, drejtuesit e Urgjencës Kombëtare paskan reaguar me një mllef të pazakontë, duke shkruar se kjo është një fushatë denigruese nga gazetarët e SYRI-t.

“Ju mund të bëni fushata denigruese dhe mashtruese sa të doni, ndoshta është në ADN tuaj, por qytetarët shqiptarë e kanë parë këto dy vite shërbimin e urgjencës mjekësore, sa shpejt mbërrin në vendngjarje. E kanë parë çfarë peshe ka mbajtur dhe mbanë mbi shpatulla,” shkruan Urgjenca në komentin e saj.

Se kur mbërrin ambulanca dhe si funksionon urgjenca dhe shëndetësia në Shqipëri, këtë e dinë ata që e kanë vuajtur mbi shpinë.

Por pikërisht sot, menaxheri i lokalit ku ndodhi krimi i rëndë, Daniel Lila, e ka konfirmuar atë që thanë dëshmitarët dje për SYRI-n.

“Erdhi ambulanca, ambulanca ka kaluar rreth 20 minuta, 30 minuta gati që Ushtaraku është afër, ka ardhur pas gjysmë ore gati. Kurse trupi i pajetë ka ngelur atje për gati 1 orë, 1 orë e ca,” tha menaxheri.

Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm se puna e ambulancave varet edhe te aftësia për të lëvizur në këtë qytet të bunkerizuar, të betonizuar dhe të zhytur në kaos. Këtë qytet makabër e kanë zhytur në këtë situatë keqqeverisja dhe korrupsioni, por në masë më të madhe paratë e krimit dhe të drogës që duan të shohin vetëm godina që ngulen kudo. Pikërisht këto para që prodhojnë krim dhe vrasje si ajo në Don Bosko.

Në këtë xhungël krimi e korrupsioni, ku shumëkush përpiqet që të godasë sadopak në trupin e brishtë të medias së lirë, SYRI do të vazhdojë të bëjë gjithmonë punën me vërtetësi.