Bunkerizimi i selisë/ Noka: Me datë 8 do e rikthejmë PD-në në shtëpi lirie

Një grup deputetësh nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike, sot në mesditë në orën 12.30, i janë drejtuar selisë së PD ku kanë gjetur të mbyllura të gjithë dyert, në ditë kur skadon dhe afati i lirimit të zyrave nga Lulzim Basha.

Deputetët Flamur Noka, Sorina Koti, Edmond Spaho, Luçiano Boçi dhe Tritan Shehu kanë provuar të hapin derën kryesore, por ka qenë e mbyllur.

Ata janë drejtuar drejt derës tjetër për të hyrë brenda selisë së Partisë Demokratike, e cila ka rezultuar gjithashtu e mbyllur.

Deputeti Noka mbajti më pas një deklaratë për mediat. Ai tha se protesta e 8 janarit do e çlirojë edhe selinë e PD.

“Data 8 do të jetë një ditë kur demokratët do të marrin frymë lirisht, jo nga qelitë e Alkatrazit, por nga shtëpia e lirisë. Në mënyrën më paqësore, nga Alkatraz do e kthejmë në shtëpi lirie.

Unë nuk shoh përplasje. Një njeri i vetëm nuk mund të ketë përplasje me të gjithë demokratët. Si mund t’iu ofronte pengu rrugën drejt pushtetit? Nga bunkeri, nga Alkatrazi. Demokracia është verdikti i shumicës,” tha Noka.