Masakra në Don Bosko/ Del FOTOJA, ja viktima e atentatit mafioz

Personi në foto është Erion Çela, i cili mbeti viktimë e atentatit me armë zjarri që ndodhi dje në “Don Bosko”, ngjarje ku u plagosën edhe katër persona të tjerë.

Pak para krimit viktima ishte në tavolinë me gruan shtatzënë, e cila u largua nga lokali vetëm pak minuta përpara se autorët të zbraznin kallashnikovët.

35-vjeçari i cili ndërroi jetë ishte me origjinë nga Dibra dhe banues në Maminas.

Si pasojë e të shtënave në lokal, mbeti i plagosur vëllai i tij Blerim Çela, 28 vjeç dhe tre persona të tjerë, midis tyre edhe kamerieri i lokalit.

Pista kryesore në lidhje me ngjarjen që tronditi kryeqytetin në ditët e para të këtij viti, ka të bëjë me atë të larjes së hesapeve që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike, pasi 41-vjeçari Edmond Crroj, i identifikuar si daja i viktimës dhe njërit prej të plagosurve, kishte precedentë të theksuar kriminalë.

Mësohet se 35-vjeçari Erion Çela, kishte një dyqan ngjitur me lokalin ku ndodhi ngjarja, në të cilin shiste duhan.

Kjo ishte dhe arsyeja se përse ai ulej gjithmonë ngjitur me xhamin, për të monitoruar njëkohësisht edhe biznesin e tij. Mësohet se Edmond Crroj, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të rënduar dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga bluzat e bardha.

Po ashtu në gjendje të rëndë është edhe vëllai i viktimës i cili ka mbetur i plagosur në pjesën e fytyrës. Mësohet se me kërkesë të familjarë, Blerim Çela tashmë po merr trajtim shëndetësor në një spital privat. Ndërkaq, jashtë rrezikut për jetën janë dy të plagosurit e tjerë.