Basha ka humbur rrugën në oborrin e PD, por të mos humbasë mendjen politike

Lulzim Basha e ka humbur rrugën në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, por të mos e humbasë mendjen politike. Në këtë rast nuk mund t’i ndihmojë asnjë “avokat i drunjtë” qoftë ai  edhe  i kohës së perënduar të Kristaqit, sepse kur njeriu e humb rrugën në shtëpinë e vet,  as “i huaji” i Albert Camy-s nuk mund  ta ndihmojë për ta gjetur rrugën e vërtetë të jetës politike.

Nga ky fenomen shumë befasues, i papritur, shumë absurd dhe i çuditshëm në skenën politike në Shqipëri, duke qenë se Lulzim Basha ka humbur tetë vjet rresht betejat politike në krye të opozitës në Shqipëri (2013-2021), ai nuk skuqet fare që të japë dorëheqje, edhe pse 4446 delegatë të Kuvendit të Jashtëzakonshëm Kombëtar votuan për shkarkimin e tij më 11 dhjetor 2021.

Ndërkaq, më 18 dhjetor 2021 u bë Referendumi në të gjithë Shqipërinë, ku 43.385 anëtarë të bazës së Partisë Demokratike votuan për shkarkimin e Lulzim Bashës nga pozita e kryetarit të kësaj partie.

Pas 8 vjetësh humbjesh të njëpasnjëshme, Lulzim Basha sheshit ka humbur besimin te shumica dërrmuese e anëtarësisë së bazës së Partisë Demokratike në Shqipëri. Prandaj, logjika e shëndoshë e thotë që ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është i detyruar që moralisht, politikisht, ligjërisht dhe demokratikisht, të respektojë vendimin e miratuar nga shumica dërrmuese e anëtarëve të PD-së.

Në këtë rast konkret, nuk nevojitet kurrfarë “avokati i drunjtë”, sepse ka folur Sovrani-Baza-Anëtarësia e Partisë Demokratike. Kjo ia ka vulosur fatin politik Lulzim Bashës sipas “meritave” të tij, dështimit politik tetëvjeçar (2013-2021).

Prandaj, Lulzim Basha nuk ka asnjë të drejtë ligjore që ta uzurpojë dhe ta shndërrojë në “kështjellën” e tij mbrojtëse selinë e Partisë Demokratike, sepse  ajo nuk është pronë private e tij, por e PD-së. Atë nuk e ka trashëgim  as nga gjyshi e as nga babai i tij, por ajo është Shtëpia e të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në vend se Lulzim Basha t’u kërkojë ndjesë të gjithë anëtarëve të PD-së, që me plot të drejtë e kanë shkarkuar nga pozita e kryetarit, mbase për 8 vjet nuk ka qenë në gjendje, që këtë parti ta sjellë në pushtet, ai  me kokëfortësi irracionale, pa asnjë arsye valide (sepse u dëshmua humbës në politikë) dhe pa kurrfarë të drejte morale, ligjore dhe kushtetuese nuk i bindet vendimit të votës së anëtarësisë së bazës për shkarkimin e tij të ligjshëm. Përkundrazi, Lulzim Basha i ka shpallur luftë politike bazës së PD-së, duke uzurpuar godinën e selisë së saj.  

Mirëpo, ne i apelojmë Lulzim Bashës, që të mos dalë jashtë rregullave dhe parimeve politike paqësore e demokratike e as jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, duke provokuar me paramendim durimin dhe vullnetin e 4446 delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm Kombëtar, bërë në “Air Albania” në Tiranë, më 11 dhjetor 2021 si dhe  të “43.385 anëtarëve” të bazës së PD-së, të cilët me voton e tyre e shkarkuan Lulzim Bashën në Referendumin e datës 18 dhjetor 2021.

Sa më sipër, Lulzim Basha do të duhej ta dinte se në çdo sistem demokratik vota është Alfa dhe Omega, që përcakton të drejtat dhe liritë e njeriut. Prandaj, Lulzim Basha, duhet t’i bindet votës së shumicës dërrmuese të anëtarëve të bazës së PD-së (sipas së cilës është shkarkuar në mënyrën me demokratike-me plebishit), të japë dorëheqje para se të mbahen protestat kombëtare më 8 janar 2022, të thirrura nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, siç ka paralajmëruar Sali Berisha, anëtar i këtij Komisioni.

Pra, e apelojmë Lulzim Bashën që në këtë rast konkret të luajë rolin e paqësorit, duke u tërhequr burrërisht  nga selia e PD-së pa asnjë potere politiko-propagandistike dhe, pa shkaktuar asnjë incident , duke imituar ndonjë hero politik a historik siç ishte dikur në messhekullin XIX, Oso Kuka, gjoja se po mbron selinë e PD-së nga PD-ja.

Mirëpo, sot, XXI, 2022, këtë problem të madh jetik të Oso Kukës nuk e ka Lulzim Basha, veçse duhet të lërë kolltukun  e kryetarit  në PD. Këtë duhet ta bëjë Lulzim Basha në mënyrë ligjore, demokratike dhe paqësore.  

Thjesht, nëse Lulzim Basha dëshiron që edhe më tej të merret me politikë, atëherë duhet të mendojë dhe të veprojë politikisht, duke synuar që të mbetej edhe më tej aktiv në skenën politike në Shqipëri. Ndryshe, çdo formë tjetër jashtë kompromisit politik me bazën e PD-së, do ta eliminojë Bashën nga politika.