Bunkerizimi i selisë së PD/ Dera kryesore hapet vetëm për Bashën

Bunkerizimi i selisë së PD-së po prodhon edhe situata paradoksale dhe qesharake. Kështu, dera kryesore e PD tani hapet me sensor vetëm për Lulzim Bashën, raporton Panorama,.

Sipas gazetës, kreu i PD-së mbërriti dje në selinë blu pas mesdite, dhe pasi pa ndryshimet e reja në godinën që ende po punohet, u fut brenda përmes hyrjes kryesore. Këtë mundësi nuk e patën deputetët dhe punonjësit e administratës së PD-së që erdhën dje në selinë blu. I pari nga deputetët ishte sekretari i ri organizativ, Flamur Hoxha. Ai tentoi të hynte nga dera qendrore, por sensori që bën hapjen e saj ishte çaktivizuar.

Po kështu, edhe numri dy i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pasi zbriti nga automjeti që i është vendosur në dispozicion nga partia, u ngjit në shkallët që të çojnë në derën kryesore, por më pas ai mori drejtimin djathtas për të shkuar në hyrjen anësore të godinës së PD-së. Hyrje e cila përdoret më rrallë nga të zgjedhurit në radhët e Partisë Demokratike. Megjithatë, dje ishte rasti që edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së të ngjitej në zyrën e tij përmes asaj dere.

Por, ndonëse punimet, siç thuhet edhe nga reagimi zyrtar i PD-së, bëheshin për të rifreskuar selinë blu, tensioni në punonjësit e administratës, të cilët kishin ardhur një ditë para se të fillonte puna zyrtarisht, nuk mungonte. Ndryshe nga herët e tjera, prania e medias nuk ishte komode për ta.