Vazhdon avazi: Shtyhet seanca për Tahirin, gjyqtari kërkon kohë

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pasi është paraqitur sot në GJKKO për t'u gjykuar me trupën e re, ka mësuar se seanca u shty për në datën 17 janar ora 11:00.

Kjo ndodhi sepse gjyqtari i ri i çështjes Florian Kalaja kishte nevojë për kohë për t’u njohur me dosjen.

Dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çelës u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale. Përveç konfliktit të interesit të gjyqtares Albana Boksi, gjykata thekson se prokuroria u dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza dhe se nuk i dha mundësinë ish-ministrit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës që u dënua me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.

SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja u rikthye edhe njëherë në Apel.