Shqipëria e nis vitin nën pushtetin e krimit/ Nano mbledh drejtorët...

Vrasje, plagosje, eksploziv, drogë, aksidente fatale... Shqipëria e ka nisur vitin nën pushtetin e krimit.

Në këtë situatë dramatike, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit , Gledis Nano ka thirrur në mbledhje Drejtorët e Qarqeve.

Kjo është mbledhja e parë për këtë vit. 

Burime bëjnë me dije se fokusi i këtij takimi ka qenë marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Nano ka kërkuar ndër të tjera, bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Më tej, Nano ka kërkuar intensifikimin e kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vejdhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.