Kakavijë: Kontrollohet pasagjerja e autobuzit Lezhë–Athinë, i zbulohen 21 mijë euro të padeklaruar

Policia Kufitare e Kakavijës në bashkëpunim me forcat e FRONTEX ka zbuluar rreth 21 mijë euro euro të padeklaruara nga një pasagjere e autobusit Lezhë – Athinë.

Policia Kufitare e Kakavijës njoftoi se në dalje të Republikës së Shqipërisë ka kaluar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë, 45 vjeçaren A.B, banuese në Lezhë dhe rezidente në Athinë, e cila udhëtonte si pasagjere në autobusin e linjës Lezhë-Athinë.

Gjatë kontrollit në bashkëpunim me Frontex-in dhe shërbimet doganore, në çantën e 45-vjeçares janë gjetur 20.950 euro, të cilat ajo nuk i kishte deklaruar.

Shuma e parave u sekuestrua dhe në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, A.B u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.