Masakra në Don Bosko/ Zbardhet dëshmia e dy prej të plagosurve

Dy prej të plagosurve nga masakra e Don Boskon mbrëmjen e së martës në Tiranë, kanë dhënë dëshminë e tyre për grupin hetimor.

Kamarieri Azbi Selimaj 19 vjeç dhe Arben Dani 46 vjeç kanë thënë për policinë se nuk kanë mundur që të shikojnë asgjë dhe nuk i kanë vënë re atentatorët, vetëm kur janë gjendur nën breshërinë e plumbave.

Kamarieri 19-vjeçar është qëlluar me armë aksidentalisht nga breshëria e kallashnikovit të autorëve, ndërsa 46-vjeçari kishte ardhur nga Durrësi dhe është mik i viktimës, si dhe dy të plagosurve të tjerë të cilët janë vëllai dhe daja 35-vjeçarit që humbi jetën.

Sipas grupit hetimor, dyshohet që objektiv i sulmit me armë të ketë qenë Edmond Crroj, daja i dy vëllezërve Çela, viktimës Erion dhe të plagosurit Blerim.

Hetuesit dyshojnë se autorët e kanë ndjekur prej kohësh Edmond Crrojn dhe kanë pritur momentin e duhur për ta sulmuar me armë kur të ndodhej së bashku me dy nipërit e tij.

Të 4 të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore. Dëshmia e dy prej tyre nuk ka ndihmuar shumë grupin hetimor. As në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka do të thotë se autori ka qëlluar nga brenda makinës duke mos lënë prova në vendngjarje.

Do të jenë kamerat e sigurisë që pritet të ndihmojnë grupin hetimor për të zbardhur dinamikën e vrasjes dhe itinerarin e lëvizjes së atentatorëve. Këta të fundit u larguan në drejtim të Laprakës me një makinë me targa të vjedhura.

3 nga të plagosurit dhe viktima kanë qenë së bashku në një tavolinë në lokal kur ndaj tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi. Ndërsa i plagosuri tjetër, 19-vjeçari Azbi Selimaj ka qenë kamarieri. /tvklan.al