Macron paralajmëron se do t’ia vështirësojë jetën të pavaksinuarëve në Francë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se ka ndërmend t’ia vështirësojë jetën njerëzve në Francë që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19.

"Unë me të vërtetë dua t'u “qepem” atyre dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë - deri në fund," tha ai për gazetën franceze Le Parisien.

Por kundërshtarët politikë thanë se gjuha e fortë që ai përdori në intervistë nuk ishte e denjë për një president.

Komentet e tij erdhën pasi një ligj për pasaportën Covid u shty nga deputetët e opozitës që u bashkuan kundër qeverisë.

Një debat në parlament mbi projektligjin, i cili do t'i ndalonte të pavaksinuarit nga pjesa më e madhe e jetës publike, u ndalua të vazhdonte pas mesnate.

Legjislacioni pritej të miratohej në një votim këtë javë, por ai ka zemëruar kundërshtarët e vaksinës dhe disa deputetë francezë kanë thënë se kanë marrë kërcënime me vdekje për këtë çështje.

Në intervistën e tij me Le Parisien të martën, Macron tha se megjithëse nuk do të donte "vaksinim me forcë", ai shpresonte të inkurajonte njerëzit që të vaksinohehsin duke "kufizuar sa më shumë që të ishte e mundur aksesin e tyre në aktivitetet në jetën shoqërore".

"Unë nuk do të dërgoj [njerëz të pavaksinuar] në burg," tha ai. "Kështu që ne duhet t'u themi atyre, se që nga 15 janari, nuk do të mund të shkoni më në restorant. Nuk do të mund të shkoni më për një kafe, nuk do të mund të shkoni më në teatër, nuk do të mund të shkoni më në kinema”.