Vokshi: Një urim për të gjitha zonjat drejtuese dhe anëtare të LDGSH

Nga Albana Vokshi

Një urim për të gjitha zonjat drejtuese dhe anëtare të LDGSH:  Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë

Të nderuara mike,

Ju falënderoj të gjithave me mirënjohje të thellë për punën që kemi bërë në vitin që po lemë pas. Me shumë prej jush kemi bashkëpunuar prej shumë vitesh, e jam e sigurt që do vazhdojmë të bashkëpunojmë për një kohë të gjatë. Mirënjohje të thellë për çdo kontribut tuajin ndër vite, për çdo gur të vebdosur në themelet e demokracisë ende të brishtë në Shqipëri.

Në këtë ditë të fundit të këtij viti dua t’ju them që jam krenare, më shumë se kurrë për nderin që më keni dhënë që të jem në krye të përpjekjeve tona të përbashkëta.

Jam krenare për çdo gjë që kemi bërë së bashku për një #LDGSH aktive, dinjitoze e ja kemi dalë.

Jam krenare për punën e përbashkët këto dy vjet për të zhvilluar zgjedhjet e brendshme në LDGSH. Sot LDGSH është organizata më e madhe politike e grave në Shqipëri e në rajon. Kjo falë punës e kontributit tuaj të çmuar.

Jam krenare për punën që ju keni bërë gjatë fushatës së fundit elektorale, duke dhënë çdo gjë për fitoren.

Ky vit ka qenë sfidues për PD dhe LDGSH. Situata në PD nuk është siç do të donim të gjitha ne. Çdo ditë po përballemi tentativa për të ç’bërë punën, mundin, kontributin e sakrificat tuaja e të zonjave të degëve tuaja të LDG.

E di që mes nesh ka drejtuese që mendojnë ndryshe nga unë apo ndryshe nga shumica prej nesh për situatën në të cilën po kalojmë. Por, në fund të fundit demokracia është respekti për mendimin e lirë, për mendimin ndryshe.

Ndaj jam e sigurt, që çdo përpjekje për të na përçarë, për të shkatërruar historinë dhe kontributin dhe strukturën e LDGSH do të dështojë. Askush nuk do mund të cenojë as LDGSH e as kontributin tuaj.

Ju ftoj të gjithave, për një moment reflektimi, për bashkim energjish, forcash, për një #PD- familjen tonë të përbashkët, më të hapur, më të bashkuar, më të fortë e më demokratike.

Uroj për secilën prej jush një vit të ri 2022 plot me gëzime, shëndet, paqe, harmoni familjare. Uroj një vit më të mirë r më të suksesshëm për familjen tone të madhe PD.

Një PD dhe opozitë e fortë, sfiduese, garante e mbrojtjes së interesave të çdo qytetari shqiptar dhe interesave të kombit, është urimi më i mirë për çdo demokrat por dhe për çdo shqiptar.

Gëzuar!