FOTO/ Një rreze dielli hyn në zgafellën e 5 fëmijëve Veshaj në Vlorë, në terrin e urisë

Falë kronikës së transmetuar në Syri Televizion, për familjen Veshaj  që jeton në kushte të mjerueshme  në ish-godinën  e Shtëpisë së Oficerëve , ka lindur pak shpresë për ta këto ditë. Lexo: Këta janë fëmijët e Lulzimit dhe këto fytyra të vogla quhen Uri, Skamje, Mjerim, Përbuzje dhe Terr!

Qytetarët e Tiranës janë prekur nga kushtet tek ata jetojnë dhe kanë shprehur dëshirën për të ndihmuar sadopak familjen Veshaj që të kalojë natën e Vitit te Ri  me ushqime si të gjithë shqiptarët.

Rezarti, një djalë me origjinë nga Tropoja, pasi ka parë lajmin për  familjen e Lulzim Veshajt,  menjëherë ka qënë i gatshëm për të ndihmuar sado pak. Ai është nisur nga Tiranë drejt Vlorës bashkë me bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e vegjël për të parë nga afër kushtet e familjes Veshaj.

Kur ka mbërritur ai është futur brenda godinës së rrënuar, në dhomën ku jeton familja dhe pasi trokiti në derën e tyre u prek tek pa 5 fëmijë të vegjël që jetonin  në errësirë. Çdo gjë dukej si në Mesjetë,  një qiri qëndronte mbi tavolinë për t’i dhënë pak dritë asaj dhome të ftohtë ku brenda jetojnë 5 ëngjëj të braktisur nga bashkia e Vlorës dhe institucionet  shtetërore.

Rezarti menjëherë u ka kërkuar që të kalojnë një natë në hotel, që të flenë ngrohtë e të kenë ushqim. Të pestë fëmijët e vegjël me mamanë e tyre dhe gjyshen janë akomoduar në një hotel në qytetin e Vlorës të paguar nga Rezarti.

Sapo ata shkuan në hotel, lumturia për 5 fëmijët e vegjël ishte edhe më e madhe për ta dhe për nënën dhe gjyshen, pasi Rezarti  kishte rezervuar disa dhurata dhe veshje për 5 të vegjlit dhe ushqime që ata t’i kenë për natën e Viti të Ri. Të paktën ta gëzojnë atë si të gjithë.

Në ndihmë të familjesVeshaj, që u interesua  për ta ishte dhe avokatja Adriana Kalaja nga Tirana, që donte të kontribonte për atë familje, shume e prekur për situatën ku ata ndodhen. Znj. Kalaja u dhuroi një shume simbolike prej 3000 mijë lekësh. Në momentin  që stafi i Syri Televizon  i çon zarfin familjes, derën e hap gjyshja e gëzuar dhe shumë e emocionuar në momentin që merr zarfin. Ata ndien që ende ka shpresë për ta dhe avokatja e nderuar u shpreh se do ta ndihmojë dhe në vazhdimësi  familjen e Lulzim Veshajt.