Presidenti Meta: Vladimir Grillo do kujtohet për emocionet që na dhuroi për dekada, për zërin e veçantë

Një lajm i trishtë ka ardhur sot për sportin shqiptar, teksa është ndarë nga jeta Vladimir Grillo.

Një nga ikonat më të mëdha të gazetarisë sportive, humbi betejën me një sëmundje të rëndë që e shoqëronte prej dy vitesh.

Për lajmin e ndarjes nga jeta të 74-vjeçarit ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili në një status në Facebook shkruan: “Me shumë trishtim mësova për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe komentatorit të mirënjohur sportiv, mjeshtrit të mikrofonit, Vladimir Grillo.

Do të kujtohet nga të gjithë për emocionet e veçanta që na dhuroi për dekada, duke përcjellë me profesionalizëm dhe timbrin e veçantë të zërit, në familjet dhe ambientet tona shoqërore, vlerat më të arrira sportive.

Në këto momente të vështira ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Të prehet në paqen e merituar!”.