Deputeti Basha: Beteja jonë sapo ka filluar! Gëzuar Vitin e Ri

Në një konferencë për mediat nga selia nga ku refuzon të dalë, kryetari i shkarkuar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se beteja e tij sapo ka filluar. 

Deputeti Basha foli për 'sukses' personal të tij lidhur me çështjen e inceneratorëve, në një kohë kur akuzohet drejtpërdrejt si personi që ka vonuar paditë e PD në SPAK për megaaferën 430 mln euro të Edi Ramës. Kjo është betejë e humbur e Lulzim Bashës dhe aspak fillimi i një beteje. 

Foli për masakrën zgjedhore, por harroi se pas 25 prillit në vend që të ngrinte popullin në këmbë për vjedhjen e votave, siç edhe akuzon sot, u gozhdua pas karriges së tij personale në PD, deri kur u shkarkua nga Kuvendi i 11 dhjetorit me votat e 4446 delegatëve dhe Referendumi i 18 dhjetorit nga rreth 44 mijë anëtarë demokratë. 

Iu referua edhe nxjerrës së të dhënave dhe patronazhistëve, por kur duhej që Lulzim Basha të ngrinte zërin në mbrojtje të dinjitetit të mbi 900 mijë shqiptarëve, heshti dhe uli kokën. I dha mbrojtje Edi Ramës dhe ky i fundit po vazhdon edhe sot e kësaj dite të minojë të dhënat personale të shqiptarëve. 

"Do ta udhëheqim këtë betejë deri në fund. Gëzuar Vitin e Ri", tha Lulzim Basha. 

Deputeti Lulzim Basha harron sërish se sot dhe në vijim nuk i kërkon askush më që të udhëheqë beteja, sepse mjaftojnë 'betejat' 8-vjeçare dhe 'sukseset' e 'mahnitshme' të Lulzim Bashës në krye të PD. Aq sa sot PD falë tij, si asnjëherë më parë në 31 vite prej themelimit të saj, numëron rekordet më të zeza elektorale, duke e groposur edhe për një mandat të tretë në opozitë. 

Por një shprehje popullore thotë 'pas çdo të keqe ka edhe një të mirë' dhe e mira është që Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD dhe drejtimi i partisë që solli pluralizmin në Shqipëri drejtohet nga komisioni i Rithemelimit me 29 anëtarë deri në 22 mars, kur edhe pritet të zgjidhet kryetari i ri i PD.