Migrimi kthehet përsëri në qendër të politikës së Bashkimit Europian

Migrimi u bë përsëri një çështje kyçe për Evropën këtë vit, pasi tensionet u ndezën në kufirin e BE-së me Bjellorusinë.

Qindra emigrantë u mblodhën në kufirin e bllokut, ndërsa BE-ja akuzoi Bjellorusinë për një luftë hibride dhe inkurajimin e migracionit si hakmarrje për sanksionet.

Aty ishin mbledhur rreth 2000 njerëz deri në fund të nëntorit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.

Megjithatë, shifrat ndryshojnë shumë nga ato të regjistruara gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015, kur mbi një milion njerëz arritën në Evropë përmes detit.

Si përgjigje, vendet në kufirin lindor kanë ngritur gardhe duke kërkuar fonde për masat anti-emigrant, edhe pse Komisioni Evropian thotë se ata nuk do të paguajnë për telat me gjemba apo muret.

Frontex në vijën e parë

Gjithashtu këtë vit, agjencia kufitare e Brukselit, e ngarkuar me trajtimin e migrantëve, kishte dilemat e saj.

Frontex u kap në skandale të shumta duke përfshirë akuzën se mbylli një sy ndaj shtyrjeve të paligjshme në kufijtë e Greqisë.

Një raport nga uebsajti investigativ Bellingcat tha se Frontex dinte për shtyrjet dhe nuk arriti të bënte asgjë për këtë.

Agjencia me bazë në Varshavë i mohoi akuzat, por dëmi në reputacion ishte bërë tashmë.

Sherri Francë - Angli

Ndërkohë, Franca dhe Anglia ishin në mosmarrëveshje për rritjen e kalimeve të emigrantëve në Kanalin Anglez. Mijëra njerëz janë përpjekur të bëjnë udhëtimin, me azilkërkuesit që mblidhen në varka të vogla për të bërë lundrimin e rrezikshëm.

Në nëntor, të paktën 27 emigrantë vdiqën ndërsa tentonin të kalonin. Por çështja mbetet përçarëse, me Francën dhe Britaninë e Madhe që fajësojnë njera tjetrën për tragjedinë.

Vetë politika e BE-së për migracionin mbeti një enigmë e pazgjidhur në vitin 2021, me pak marrëveshje mbi propozimin e fundit të Komisionit Evropian për mënyrën se si të vazhdohet.