Mori 5 milionë dhe humbi gjyqin, avokati nuk kthen as dosjen

Emisioni “Stop” shkoi këtë të mërkurë në Elbasan, pasi denoncuesi, Ryzhdi Biçaku, ankohet për avokatin Anton Prekaj.

Ai u lidh me avokatin para disa viteve, për shkak se i duhej ndihmë ligjore, për të fituar të drejtën mbi një pronë dhe avokati i premtoi, se do ta fitonte atë, kundrejt 5 milionë lekëve.

“Pata një banesë. Pagova një avokat. Avokati më kërkoi 5 milionë Lekë përveç të tjerave që ia kam dhënë dorazi. Kur ia kam dhënë këto lekët më ka thënë që çdo gjë ka marrë fund, ti fiton të drejtën e gjyqit. Unë do të jap letrat në dorë”, tha Biçaku.

Ryzhdiu pagoi gjithë shumën, pa filluar ende gjyqi. Mes tyre nuk u lidh asnjë marrëveshje me shkrim mbi këtë shërbim dhe mbi tarifat e avokatit.  Denoncuesi thotë, se paratë ia futi në sirtar, pas një telefonate, që i bëri vetë avokati.

“Me mirëbesim ia dhashë lekët në dorë. Ai nuk i mori, por më tha futi tek sirtari. U detyrova, i kërkova një shkresë. Më tha “nuk ke besim ti tek avokati”. I thashë një letër duhet. Më tha letër nuk të jap”, u shpreh Biçaku.

Ndërkohë, gjyqi nuk vendosi në favor të Ryzhdi Biçaku. Sipas tij, avokati jo vetëm që nuk e njoftoi mbi procedurat, por i mbajti dosjen dhe nuk i ktheu paratë.

“M’u prish banesa. Iu drejtova avokatit dhe i thashë hajde se po më prishet banesa. Nuk kam se ça të bëj tha, nuk vij dot. Atëherë i kërkova lekët. Ma jep me shkrim më tha. Ça të të jap me shkrim i thashë kur ti nuk më dhe me shkrim lekët e mia. I kam vajtur me të dyja vajzat atje dhe nuk më pret. Më nxjerr përjashta. Nuk më del fare. Nuk më ka dhënë asnjë lloj vendimi.  I kam kërkuar dosjen. Dosjen më ka thënë që e mbaj në arkivë, është personale. Thashë dosja është e imja. Dosjen dhe lekët nuk pranon…”, tha qytetari.

Por a e njeh avokati faktin që qytetari  i ka dhënë 5 milionë lekë në sirtar? Fillimisht ai pretendon që nuk e mban mend rastin.

Denoncuesi: Nuk kam faturë.

Avokati: Ta jap unë faturën, kur të duash!

Gazetari: Dhe bën pesë milionë lekë?

Avokati: Aq, sa i kam marrë.

Gazetari: Ua keni pasqyruar ju?

Avokati: I kam sqaruar.

Denoncuesja: Jo, jo! Nuk na ka sqaruar. Na ka përzënë, mua bashkë me motrën time.

Avokati: Nuk e kam në vëmendje rastin.

Denoncuesja: E ke shumë mirë në vëmendje rastin tonë ti, se nuk është hera e parë. Përpara kamerave, se në mënyrë tjetër me ty, ishte e pamundur.

Gazetari: Pjesën e pesë milionëshit, zoti avokat, si ia morët? Me faturë, apo pa faturë?

Avokati: Nuk e kujtoj rastin tani, do shoh dokumentet.

Denoncuesja: Ta kujtoj unë rastin. Ka telefonuar babin dhe i ka thënë: “Ryzhdi, mua më duhen pesë milionë lekë, për të mbyllur çështjen tënde. Unë do marr lekët dhe ju do keni letrat në dorë”.

Avokati: Kujtoni, se duke gënjyer kështu…

Denoncuesja: Jo, unë nuk gënjej.

Avokati: Të kam telefonuar unë?

Denoncuesja: Po, po dhe lekët janë futur në sirtar.

Denoncuesi: Lekët i kam futur unë.

Gazetari: Zotërinjtë thonë, se juve u keni mbajtur edhe dosjen, nuk ua keni kthyer. Pse?

Avokati: Ky, gjyqin në shkallë të parë, e ka fituar.

Denoncuesi: Po ku është vendimi?

Gazetari: E keni njohur ju hap pas hapi?

Avokati: Si nuk e kam njohur?!

Denoncuesi: Asnjëherë!

Avokati: Ti kujton, se më bën presion me Stop-in?

Denoncuesja: Nuk është presion, këtë e ke gabim.

Denoncuesi: S’kam asnjë lloj letre.

Avokati: Do ta lëmë, ose në datë 15, ose në datë 17, t’i sqaroj.

Më vonë, për herë të parë, avokati i njeh me dy fatura të thjeshta tatimore Biçakut. Por për paratë i thotë t’i drejtohet shtetit.

Avokati: E lamë që do merrnit letrat dhe faturën, ja ku i keni. Merri!

Denoncuesja: Po!

Avokati: Mirupafshim!

Denoncuesja: Po për pagesën?

Avokati: Ke faturat aty. Në qoftë se nuk të pëlqejnë, shko dhe drejtohu institucioneve shtetërore!

Avokati: Të lutem, mos më shqetëso më!

Denoncuesja: Edhe ju na keni shqetësuar.

Denoncuesi: Me pesë milion lekë, të marr këto dy letra?!

Avokati: Ja ku i ke faturat aty.

Denoncuesi: Çfarë faturash?

Avokati: Ti nuk duhet të vish më fare këtu! Merri letrat, shko në gjykatë, në prokurori! Me mua ke mbaruar punë.

Denoncuesi: Po si kam mbaruar punë, more Anton?! Nuk të vjen zor! Pesë milionë Lekë?/tvklan.al

https://youtu.be/A8L4biBPfZA