Sulmi i Ramës ndaj gjyqtares/ Vasili: Tregoi se Vettingu është i kapur! Muçi: Ligji e ndalon

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kanë vënë në shënjestër ditët e fundit gjyqtaren e Gjykatës Administrative, Klorinda Çela, për shkak të një vendimi të saj, ku në palë në çështje ka qenë Qeveria shqiptare. 

Gjyqtarja e shkarkuar nga Vettingu, u kallëzua nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili i kërkoi SPAK që të nisë një hetim.  

Ndërsa kryeministri e denoncoi publikisht nuk i përmendi emrin. 

Në Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, konstitucionalisti Sokol Hazizaj tha se është e ndaluar me ligj nga Gjykata Kushtetuese që të penalizohet një gjyqtar për shkak se ka dhënë një vendim gjyqësor. 

Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili deklaroi se komentet e Ramës tregojnë kapjen e procesit të Vettingut. 

Besnik Muçi: Ne kemi patur në Kodin Penal një dispozitë që dhënia e vendimit të padrejtë ka qenë vepër penale. Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar këtë dispozitë se bie në kundërshtim të hapur me parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor. Pra, nuk kemi vepër penale për dhënie të vendimit në kundërshtim me ligjin. Vendimet gjyqësore kundërshtohen nga gjykatat më të ulta dhe gjykatat më të larta. Nuk mund të penalizosh një gjyqtar për shkak se ka dhënë një vendim gjyqësor. Është e ndaluar nga ligji, nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.  

Petrit Vasili: Në ligjin e miratuar vetë në paketën e ligjeve të reformës, për funksionet e pushtetit gjyqësor të KLGJ dhe KLP, pas një debati shumë të fortë në atë kohë u vendos në mënyrë të prerë që ministri i Drejtësisë, edhe në rast se konstatonte ccështje të caktuara, maksimumi ia referonte Inspektorit të Lartë të Drejtësisë çështjet e tij. Kurse në rastin konkret, Avokatura e Shtetit dhe Qeveria kanë qenë palë në një proces gjyqësor. Qeveria kur është palë, mbetet atje ku është si palë dhe nuk është një palë më e fortë se privati sepse ka qeverinë në dorë dhe mund të shkojë në SPAK. Në ligjin e reformës është shprehur shumë qartë ku thuhet në mënyrë të prerë se Ministrisë së Drejtësisë nuk i lejohet më të hetojë asnjë ankesë. Kurse kur është palë, kjo gjë nuk ekziston në asnjë lloj mënyre. Dhe kap ça të kapësh, në këtë rast ka qenë Qeveria. Edi Rama është i vetmi moment që është i sinqertë, që pohon qartë se Vettingu është i kapur. Sepse thotë, duke e ditur se do t'i vinte Vettingu... Ç'do të thotë kjo? Që Vettingu është i paragjykuar? Që kush shkon në Vetting do t'i pritet koka? Ky veprim i djeshëm i vuri kapak kapjes dhe asaj që quhet padrejtësi absolute për qytetarin dhe drejtësi në favorin e qeverisë.