Përkujtohen 225 policët e rënë në krye të detyrës, Gledis Nano-familjarëve: Do të na keni në krah

Me rastin e festave të fundvitit, Policia e Shtetit zhvilloi një takim festiv me fëmijët e efektivëve të rënë në krye të detyrës. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka uruar fëmijët dhe familjarët e Dëshmorëve të Policisë, për një vit sa të më mbarë, dhe i ka inkurajuar ata që të mos stepen nga vështirësitë, pasi përherë do të kenë përkrahjen e Ministrisë së Brendshme, të qeverisë shqiptare dhe derën e hapur të Policisë së Shtetit, në çdo kohë.

Nano ka biseduar me fëmijët dhe familjarët e Dëshmorë të Policisë, duke shkëmbyer mesazhe mbështetjeje e solidariteti, dhe u ka premtuar se përherë do gjendet pranë tyre.

"Ju nuk do të jeni asnjëherë vetëm, por përherë do të jeni në familjen e madhe të policisë së shtetit. Në këtë familje për të cilën njerëzit tuaj të dashur dhanë gjënë më të shtrenjët jetën, dhe për këtë ju duhet të ndjeheni krenar pasi babai, vëllai, familjari juaj që sot nuk është këtu me ne është përjetësisht në piedestalin e nderit të Kombit dhe në vetëdijen e mbarë Shqipërisë," tha Nano. 

Në aktivitetin e zhvilluar, Drejtori i përgjithshëm shpërndau edhe disa donacione të mbledhura për gjatë këtij viti për familjarët e 225 efektivëve të cilët humbën jetën gjatë ushtrimit të detyrës.

Nënkomisari Saimir Hoxha ishte efektivi i fundit i cili u vra në krye të detyrës.

Ai u qëllua për vdekje nga 21 vjeçari Aldi Rama në zonën e Kunë Vainit në Lezhë.

Në shpërblimin për festat e fundvitit qeveria miratoi që pagë shtesë do të marrin 2 kategori pensionistësh dhe familjet në nevojë.