Bushkolaj: Lërini satelitët në hënë, rrugët e lëna rrugëve po vrasin shqiptarët

Shkurt Prenga dhe djali i tij 3-vjeçar humbën jetën në aksidentin tragjik të 27 dhjetorit në segmentin Milot-Rrëshen, që është kthyer në makthin e shqiptarëve. 

Kryefamiljarja Fabiola Prenga, e mbetur e plagosur rëndë në këtë aksident po lufton për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë. 

Pa kaluar as 24 orë nga kjo tragjedi që gjunjëzoi familjen Prenga, një tjetër aksident u shënua po në këtë aks rrugor, ku një automjet me 5 pjestarë të një familje, për shkak të mungesës së ndriçimit, u përplas me mbrojtëset anësore, por fatmirësisht bilanci u ndal vetëm tek të plagosurit. 

Në datën 14 janar të 2021 vetëm pak metra me larg, po në këtë segment rrugor, tre pjesëtarë të një familje nga Kosova, Blerim Avdiaj 49-vjeç, Anjeza Avdiaj 33- vjeç Medina Avdiaj 5-vjeç dhe nipi i tyre Klejdi Koçi humbën jetën pasi mjeti më të cilin udhëtonin u përplas më një kamion gjatë një parakalimi të gabuar. 

15 qytetarë shqiptarë, mes të cilëve edhe fëmijë të mitur kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore në aksin Milot-Rrëshen vetëm përgjatë vitit 2021, ndërsa ndër vite bilanci i viktimave dhe të plagosurve është i ngjashëm me atë të një lufte. 

Segmenti rrugor nga Miloti në Rrëshen është ndërtuar nga kompanitë shqiptare dhe u la në nivelin e superstradës, duke mos u bërë autostradë me dy korsi si pjesa tjetër e këtij segmenti. 

Ngarkesa e mjeteve në rrugë, mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, terreni i vështirë dhe mungesa e patrullave të shumta të policisë rrugore, e kanë kthyer këtë segment rrugor në një nga akset më të rrezikshme në Ballkan. 

Investimi për ta shndërruar nga superstradë në një autostradë këtë aks është një emergjencë kombëtare. 

Në keni Zot, ato miliona euro që hidhni për projekte 3D të rrugëve Milot-Fier apo Milot-Balldre, autostradën e kaltër apo ndonjë llokmë nga unaza e Tiranës, akordojeni për këtë segment rrugor që po vret prej vitesh shqiptarët. 

Krerët e institucioneve të Qarkut Lezhë dhe të gjithë deputetët pa dallim partiak duhet të apelojnë njëzëri dhe ti kërkojnë qeverisë ndërhyrje emergjente për këtë problematike.