Alarm global ‘i kuq’ për përhapjen e mutacionit ‘Omicron’

Rastet ditore të COVID-19  shënuan një rekord të lartë në SHBA, në Evropë dhe Australi, pasi varianti i ri Omicron i koronavirusit doli jashtë kontrollit  duke 'përmbytur' dhe qendrat diagnostikuese.

Pas dy vitesh Kina njoftoi për herë të parë një shpërthim të rasteve  në qytetin e Wuhan.

Megjithëse disa studime kanë sugjeruar që varianti Omicron është më pak vdekjeprurës se disa lloje të tjera por numri i madh i njerëzve pozitivë do të thotë spitalet të mbushura nga pacientë, ndërsa bizneset mund të kenë vështirësi në funksionimin e tyre pasi punonjësit e tyre janë në karantinë.

Franca, Britania, Italia, Spanja, Portugalia, Greqia dhe Malta njoftuan dje një numër rekord të  rasteve të reja.

Numri mesatar i rasteve ditore të koronavirusit në SHBA në shtatë ditët e fundit arriti një rekord --258,312-- sipas Reuters.

Infeksionet e reja ditore në Australi u rritën në gati 18,300.

Kryeministri australian Scott Morrison është shprehur se vendi i tij ka nevojë për një "ndryshim të shpejtë" për të menaxhuar qendrat e mbipopulluara diagnostikuese, pasi në disa zona po shfaqen radhë të gjata.

Problemet në qendrat diagnostikuese janë përkeqësuar edhe në vendet evropiane, përfshirë Spanjën, ku kërkesa për testin falas për COVID-19 të ofruar nga qeveria vendore e Madridit tejkaloi ofertën ditën e djeshme, duke çuar në radhë të gjata jashtë farmacive.

Një numër qeverish janë gjithnjë e më të shqetësuara për numrin e madh të njerëzve të karantinuar që vijnë në kontakt me një rast.

Sidoqoftë, Kina nuk ka treguar shenja të lehtësimit të politikës së saj të tolerancës zero , duke mbajtur 13 milionë njerëzit e saj në Xi'an nën një bllokim të rreptë për të shtatën ditë pasi vazhdojnë rastet e reja të COVID-19, me 151 raste të raportuara dje. 

 Asnjë rast i Omicron nuk është raportuar në Xi'an deri më tani.

Shumë vende po përballen ende me llojin Delta, përfshirë Poloninë, e cila sot njoftoi 794 vdekje për shkak të komplikimeve të COVID - numri më i lartë në valën e katërt të pandemisë. 

Nënsekretari i Shëndetësisë Waldemar Kraska tha se më shumë se 75% e njerëzve që përfundojnë në spital janë  të pavaksinuar.

'Të dhënat paraprake nga Britania, Afrika e Jugut dhe Danimarka sugjerojnë se ekziston një rrezik i reduktuar i shtrimit në spital  për Omicron në krahasim me Delta', tha Organizata Botërore e Shëndetësisë në buletinin e saj javor epidemiologjik. 

Megjithatë, sipas raportit, nevojiten prova të mëtejshme për të kuptuar se si mund të ndikohet ashpërsia e sëmundjes nga një infeksion ose vaksinim i mëparshëm.

Rritja e rasteve përkon me festat e Vitit të Ri , të cilat zakonisht janë kohë festash dhe udhëtimesh. 

Disa vende, si Italia, anuluan festimet publike, ndërsa autoritetet në Japoni u bënë thirrje qytetarëve që të kenë një numër të vogël të ftuarish.

"Rreziku më i madh është takimi me njerëzit pa marrë masa adekuate për të parandaluar infeksionin," tha Norio Omagari, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe një këshilltar kryesor shëndetësor në Qeverinë Metropolitane të Tokios.