VIDEO-SYRI TV/ Shkodër, gurorja ndot ujin në Postribë, banorët e 5 fshatrave në protestë

Banorët e pesë fshatrave në Postribë të Shkodrës protestuan për ndotjen e ujit të pijshëm nga veprimtaria e një guroreje, e cila zhvillon aktivitetin në afërsi të burimit që furnizon banorët me ujë. Banorët kërkojnë marrjen e masave, pasi uji që shkon në çezmat e tyre është i pakonsumueshëm.

Nga SYRI TV

Banorët e pesë fshatrave në Njësinë Administrative Postribë protestuan për shkak se uji i pijshëm është tej mase i ndotur. Sipas banorëve, shkak i ndotjes së ujit është një kompani private e cila është pajisur me leje nga qeveria për zhvillimin e një gurore në afërsi të burimit të ujit.

Për shqetësimin e banorëve reagoi dhe administrator i Postribës, Altin Shabaj, i cili u shpreh se problemi është i hershëm, ndërkohë që sqaroi se lejen për guroren nuk e ka dhënë pushteti lokal.

Në pesë vitet e fundit janë investuar mbi 5 miliardë lekë në sistemin e ujësjellësit në këtë njësi administrative, por ky investim duket se ka dështuar pasi uji që vjen në çezmat e banorëve është i ndotur.