VIDEO-SYRI TV/ KLGJ e KLP, mbledhje e përbashkët, Ibrahimi: Situata me Apelet, alarmante

Procesi i Vetingut ka gërryer sistemin e drejtësisë sa u përket burimeve njerëzore, ndërkohë që situate e krijuar me Gjykatat e Apelit është alarmante. Këto ishin dy prej konstatimeve në mbledhjen e parë të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Nga SYRI TV

Vakumi i krijuar në sistemin e drejtësisë për shkak të procesit të vetingut dhe problematikat e forta me Gjykatat e Apelit ishin disa prej çështjeve me të ndjeshme që u diskutuan sot në mbledhjen e parë të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Takimi erdhi një ditë pas miratimit të hartës së re gjyqësore, vendim i cili është pasuar me reagime kritike për shkak të mbylljes së shumë gjykatave të shkallës së parë e për më tepër në përqendrimin e punës në një gjykatë të vetme Apeli të juridiksionit të përgjithshëm.   

Kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami tha se vettingu ka sjellë humbje të konsiderueshme në burimet njerëzore, sikundër i cilësoi Apelet si thembra e Akilit.

Nga ana tjetër kryetari i Këshillit të Lartë të prokurorisë Gent Ibrahimi e konsideroi si alarmante situatën e krijuar me Gjykatat e Apelit.

Ibrahimi theksoi problematikat dhe mungesat e mëdha në sistem, që ka shkaktuar procesi i Vettingut, duke u shprehur se duhen përdorur të gjitha mjetet e metodat për të zbutur këtë problematikë.