VIDEO-SYRI TV/ Çmimi i lartë në treg, fermerit i vjedhin 40 gjela deti

Numri i pakët dhe çmimi i lartë i gjelave këtë fundvit, ka nxitur grabitjen e tyre në fermat e fshatrave të Fierit. Fermerit Astrit Lamaj nga Vjosa i kanë grabitur të paktën 40 krerë gjela deri më tani, ndërkohë që me të njëjtën frikën jetojnë dhe fermerë të tjerë. Ndërkohë në zonën e Cakranit fermerët shprehen të kënaqur me çmimin e shitjes së gjelit këtë vit.

Nga SYRI TV

Rritja e çmimit të gjelit, për shkak të mungesës në treg, duket se ka nxitur fenomenin e grabitjes në fermat e fshatrave të fierit.

Astrit Lamaj është një fermer nga fshati Vjosë i Fierit, i cili këtë vit ka rritur rreth 700 kokë pula e gjela deti. Por prej ditësh atij i kanë vjedhur të paktën 40 krerë gjela e pula. Bashkëshortja e Astritit tregon se nuk kanë bërë denoncim në polici, pasi nuk kanë besim se hajdutët do të gjenden.

Frikë nga grabitja kanë dhe fermerë të tjerë në këtë fshat, të cilët shprehen se në fund të vitit u shkon mundi dëm.

Ndërkohë, numri i pakët i krerëve të gjelave të rritur në zonën e Cakranit këtë vit, duket se ka ndikuar pozitivisht te disa fermerë të tjerë që këtë sezon kanë rritur dhjetëra krerë gjela.

Barjam Kodhelaj jo vetëm që nuk ankohet për mungesë tregu, por njëkohësisht është i kënaqur dhe me çmimin e shitjes së gjelit, që këtë vit është disa herë më i lartë se vitet e tjera.

Zona e Cakranit është nga më të njohurat për rritjen e gjelave, ku cilësia e tyre është e lartë për shkak të ushqimit dhe klimës.