Që nga 'Sirena e Vogël' deri te 'Mbretëresha e borës', përrallat marrin jetë në muzeun e Hans Cristian Andersen

Danimarka po nderon shkrimtarin e saj më të famshëm, Hans Christian Andersen, me një muze të rinovuar që synon të zhysë vizitorët në botët e fantazisë që ai krijoi.

Vizitorët janë shprehur të kënaqur me muzeun e ri, i cili u rihap në verë dhe i pa punimet e rinovimit të përfunduara në dhjetor, pak para se të mbyllej si pjesë e përpjekjeve të Danimarkës për të luftuar një rishpërthim të COVID.

Që nga "Sirena e Vogël" deri te "Mbretëresha e borës", veprat e Andersen - të cilat autori i quajti "fëmijët" e tij - kanë frymëzuar filma të panumërt të Disney-t, balet, këngë dhe libra.

Në një transformim magjik me të cilin do të krenohej çdo kumbarë zanash, autoritetet e qytetit kanë mbikëqyrur një rinovim shtatëvjeçar të muzeut në një kompleks të gjerë sipër dhe poshtë rrugëve me kalldrëm të qytetit të vjetër të Odense.

Hans Christian Andersen lindi në një shtëpi të vogël të verdhë në një rrugë me kalldrëm në qendër të Odense.
 

Historia e jetës së Andersen është endur përmes ekspozitave, të cilat përshkruajnë fillimet e tij modeste si fëmijë i një rrobalarëseje analfabete dhe i një këpucari të varfër.

I lindur në 1805 dhe duke humbur të atin në moshën 11-vjeçare, Andersen u largua nga Odense tre vjet më vonë dhe u nis për në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen, ku ëndërroi të bëhej aktor.

Deri në kohën e vdekjes së tij në 1875, Andersen kishte krijuar 158 përralla dhe 800 poezi, duke provuar suksesin më pas falë popullaritetit të përrallave, përfshirë "Rrobat e reja të mbretit" dhe "Gishtëza e vo".

Artefaktet kanë ende vendin e tyre në ekspozitën e re e ndër to boja e shkrimtarit dhe një gotë shampanjë që iu dha atij nga Jenny Lind, një këngëtare suedeze që e refuzoi propozimin e tij për martesë.

"Një univers më i madh"

Vizitorët e muzeut mund të përfshihen në përrallat e Andersen, si psh në kërkimin e bizeles që i prishi gjumin princeshës.

Pas hyrjes në muzeun e riprojektuar, vizitorët lëvizin nëpër vilën modeste ku Andersen kaloi fëmijërinë e tij në fillim të viteve 1800, përpara se të përfshihen në një hapësirë të madhe nëntokësore kushtuar tregimeve të tij - e mbushur me animacione, ekspozita interaktive dhe muzikë.

Muzeu i ri i projektuar nga arkitekti japonez Kengo Kuma - i njejti që projektoi stadiumin e ri olimpik të Tokios - u hap në verë, por puna u përfundua vetëm në fillim të dhjetorit.

Me dy të tretat e hapësirës së ekspozitës nën tokë, arkitekti u frymëzua nga "Çakmaku", përralla e njohur e Andersenit, në të cilën zgavra e një peme doli se ishte një portë për në një botë nëntokësore.

“Ideja pas dizajnit arkitektonik është e ngjashme me metodën e Andersenit, ku një botë e vogël transformohet papritur në një univers më të madh”, tha Kuma.

Punimet nisën në vitin 2014 pas mbylljes së një rruge kryesore që la hapësirë në dispozicion për kompleksin e ri.

Muzeu i vjetër, i cili qëndronte që nga viti 1930 në shtëpinë ku lindi Andersen, u mbyll në fund të vitit 2017.

Që nga rihapja, 40,000 njerëz kanë kaluar nëpër dyert e tij. Por masat e reja të sigurisë Covid të prezantuara në dhjetor nënkuptonin që ai duhej të mbyllej edhe një herë, dhe numri i vizitorëve u pakësua ndjeshëm nga rënia e turistëve të huaj.