VIDEO/ Banorët protestojnë për ujin, administratori: Mos u ankoni shumë

Ditën e sotme, banorët e njësisë administrative të Postribës në Shkodër kanë dalë në një protestë ku kanë denoncuar problemin e ndotjes së ujit të pijshëm. Sipas banorëve, ky problem ndodhte sa herë që bie shi dhe në gjykimin e tyre problem shkaktohej nga gurorja që ishte ndërtuar pa ndonjë projekt të mirëfilltë.

"E blejmë me lekë, ky nuk bën as me u la, I prish edhe lavatriçet e të gjitha nëse e përdor diku. Na shkakton edhe sëmundje. Kërkesa jonë është të kemi ujë të pastër. Drejtoria nuk ka shpenzime të mëdha në këtë zonë se 4 apo 5 punëtorë paguhen këtu. Plus që këtu ka burime uji plot, të paktën të vendoset ndonjë filtër apo diçka," tha një banor.

Ndërsa lidhur me këtë çështje është shprehur edhe administratori i njësisë administrative Postribë, Altin Shabaj, i cili ka thënë se problem nuk lidhej me guroren por me faktin se ku ndodhej burimi i ujit. Sipas tij, ky problem ndodhte gjithmonë kur binte shi, por shtoi se kishte fshatra edhe më problematikë të cilët kishin vetëm 1 orë ujë në ditë.

"Është vetëm një periudhë e vogël që turbullohet uji, por nuk është se rrinë gjatë pa ujë. Ka fshatra në Postribë që rrinë vetëm me një orë ujë në ditë. Nuk është se pritet ndonjë investim së shpejti," tha ai.