Akuzohet se ngacmoi seksualisht 13-vjeçaren/ Ja pretenca për policin

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 7 vite burg, të ish-efektivit të policisë Kol Kola, i cili u arrestua në muajin maj të këtij viti për ngacmim seksual të një vajze të mitur 13-vjeçare.

Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj, i cili dha maksimimin e dënimit për veprat penale “Ngacmim seksual” dhe “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare”, por duke qene se i është pranuar gjykimi i shkurtuar i ulet 1 e 3 e dënimit.

Referuar dosjes hetimore thuhet se është arritur të provohet se 62-vjeçari Kol Kola me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, “duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në makinë dhe e ka dërguar në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim, duke kryer veprime të turpshme me të”.

Megjithatë, vetë i pandehuri i ka mohuar në vazhdimësi akuzat,  duke e konsideruar ngjarjen si inskenim.Tashmë do të jetë gykata e cila do të vendosë për fatin e ish-policit Kol Kola i cili u arrestua nga policia pas denoncimit të bërë nga një 13-vjeçare e mitur, e cila rrëfeu atë që i kishte ndodhur. Pas verifikimeve përmes provave shkencore dhe pamjeve filmike u provua se ka element të veprës penale dhe prokuroria kërkoi menjëherë ndalimin e tij.

Kol Kola ka qenë pjesë e strukturave të policisë së shtetit prej shumë vitesh në disa zona të Qarkut të Lezhës.