Alaskë: Shënohen temperatura rekord prej 19.4 gradë, shkencëtarët e quajnë absurde

Alaska pa një rritje rekord të temperaturave ditore fundjavën e kaluar, me temperaturat në komunitetin Kodiak që arritën në 19.4 gradë, sipas The Guardian.

Shkencëtari Rick Thoman i Qendrës për Vlerësimin e Klimës në Alaskë e quajti këtë rritje absurde.

Në pjesët e tjera janë matur 13.3, 16.6 dhe 18.3 gradë Celsius, që do të thotë se këto janë Krishtlindjet më të ngrohta në Alaskë deri më tani.

Thoman thotë se Alaska do të vazhdojë të mbajë temperaturat të ulëta, por rritja e temperaturave / goditja e nxehtësisë do të jetë më e përhapur në të ardhmen.

“Ngrohja globale po lë pasoja, po shohim gjithnjë e më shumë temperatura të larta që janë të pazakonta për këtë pjesë të botës, presim që në të ardhmen të vazhdojë të rritet”, thotë ai.

Një studim i botuar muajin e kaluar në revistën Nature Communications parashikon se që në vitin 2060, Alaska do të ketë më shumë shi sesa borë dhe se ndryshimi i klimës tashmë po ua vështirëson jetën njerëzve dhe kafshëve në këtë pjesë të botës.